Përmbytjet në Lezhë/ Rama: Me këtë intensitet reshjesh, as Parisi nuk ka çfarë bën

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryebashkiaku Pjerin Ndreu ka inspektuar zonat e dëmtuara si pasojë e reshjeve të dendura të shiut në Lezhë.

Më problematike situata në Lezhë paraqitet në lagjen Varosh, ku ka pasur rrëshqitje masive dhe në zonën e Zadrimës ku janë evakuuar 40 familje.

Sipas Ndreut në lagjen Varosh janë evakuuar banorët dhe një kopsht. Ai tha se këtu kërkohet ndërhyrje urgjente në mënyrë që situata të mos përkeqësohet. Ndreu theksoi se në këtë zonë nuk ka qenë e lejueshme për t’u ndërtuar për shkak të rrezikshmërisë.

“Lagjja Varosh ka pësuar shkarje masive, janë rrezikuar disa shtëpi kemi evakuuar gjithë banorët por procesi është i rrezikshëm dhe mund të ketë problematikë për banorët. Po verifikojmë shtëpitë disa janë në proces legalizimi kemi evakuuar dhe një kopsht.

Kanë ardhur dhe ekspertë nga Tirana. Situata kërkon ndërhyrje urgjente se mund të agravojë. Të gjithë kanë ndërtuar pa leje, por shumica janë të legalizuara. Një banesë nuk është në proces legalizimi dhe duhet ndërhyrë. Kjo zonë nuk ka qenë e lejueshme për t’u ndërtuar se është e rrezikshme”, theksoi Ndreu.

Nga ana e tij, kryeministri u shpreh se gjëja më e rëndësishme është që janë mbrojtur biznesi dhe banesat.

“Për tej këtyre detajeve Lezha ka mbajtur shumë mirë. Nëse nuk do të ishte bërë gjithë kjo punë nuk do të ishin evakuuar rreth 40 familje, por shumë e më shumë.

Niveli i reshjeve është 2 herë më i madh se në 2010, por gjëja me rëndësi është se kur vjen një intensitet i tillë reshjesh as Parisi nuk ka çfarë bën, por testi është të tërhiqet uji dhe të bëhet mbrojtja e banesave. Kujtojmë se në 2010 u mbushën, palestrat, konviktet dhe u bë hataja”, tha Rama.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT