“Po kthen sytë nga Turqia”, Dule: Ramës i ra maska, nuk e ka dashur kurrë Europën!

Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule ka komentuar deklaratën e kryeministrit Edi Rama në lidhje me vonesat për procesin e integrimit dhe pakënaqësitë e shfaqura ndaj BE-së, duke paralajmëruar zgjerimin e tregjeve drejt Turqisë.
“Ishte thjesht dhe vetëm çështje kohe. Në nervozizmin e deshpërimit parazgjedhor, timonieri nuk u përmbajt dot më dhe njoftoi “miletin” nga Korça se në mandatin e ardhshëm do ta drejtojë timonin nga tregjet e Lindjes. E thotë ai që si kryeministër nuk arriti të shënojë qoftë edhe një gjysëmhapi përpara në procesin e integrimit që prej 2014.
Paaftësia dhe politikat e tij pa fillim,mes dhe fund janë një shkak.Tani u zgjidh edhe dilema.Ra maska: Evropën nuk e ka dashur!Me vlerat e Perëndimit nuk e lidh fije!Për integrimin nuk punoi kurrë!”, shprehet Dule me anë të një postimi në rrjetet sociale.
Ditën e djeshme, kryeministri Edi Rama gjatë një takimi në qytetin e Korçës deklaroi se Shqipëria duhet të shikojë në 3-4 vitet e ardhshme për tregje për tregtimin e mishit, dhe për këtë nuk është e detyruar të presë BE-në domosdoshmërisht, sepse ka tregje të tjera. Mundësitë sipas tij janë tregje të mëdha që nga Turqia dhe Lindja e Mesme.
“Kemi humbur një gjeneratë, sepse nuk kemi bërë gjërat e duhur në vite. Shumë gjëra që i kemi bërë ne në këto 7 vite, duheshin bërë 17 vite më parë, dhe nuk do të ishim në këtë fazë, por nuk ka një rrugë për t’i rënë shkurt. Madje, rruga për t’i rënë shkurt është tentuar disa herë dhe ka dalë më gjatë. Është njësoj si skemat piramidale.
Ndaj na duhet një durim i madh për të kuptuar që proceset e shtetbërjes në të gjitha hallkat dhe ngritjes së zinxhirit të institucioneve, që të bëjnë punën e tyre, janë procese që kërkojnë kohën e tyre. Në 3-4 vitet e ardhshme është e mundur që ne të kemi dalje në treg, por ne nuk jemi të detyruar të presim tregun e BE domosdoshmërisht, sepse ka tregje të tjera.
Është e mundur që produktet tona të mishit të dalin në tregje të mëdha në Lindje, që nga Turqia në Lindjen e Mesme, e deri tutje. Kështu që, besoj se ka shumë hapësirë, që puna juaj në këtë sektor, të jetë një revolucion. Janë ndërtuar shembujt që tregojnë se nëse bën gjërat e duhura këtu bën sukses, si një aktor në një treg të madh. Nëse pret që shteti t’i bëjë të gjitha, nuk bën dot sukses, ka marrë fund”, u shpreh kryeministri. Kjo deklaratë u komentua si një mesazh i koduar nga Rama në adresë të Bashkimit Europian./ Gazeta Shqip