Situata me COVID/ Manastirliu: Është rritur numri i infeksioneve të reja dhe shtrimet në spitale

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se ka rritje të numrit të infeksioneve të reja me koronavirus në dy javët e fundit.
Në konferencën e Komitetit teknik të Ekspertëve, Manastirliu u shpreh se po ashtu ka dhe një shtim të bashkive në vend që regjistrojnë raste të reja, nga 44 në 50 bashki dhe po ashtu është rritur edhe numri i pacientëve të shtruar në spitale.
Megjithatë, ajo shtoi se rritja është e qëndrueshme dhe se vjen pas festave të fundvitit. Ministrja theksoi se do të vijojnë të mbeten në fuqi masat e izolimit të deklaruara edhe më parë.
“Ka një rritje të incidencës dy javore, ka pësuar një rritej në 14 ditët e fundit me 217 raste të reja për 100 mijë banorë dhe një rritje me 260 raste në 14 ditët e fundit. Kemi një rritje të numrave të rasteve në bashki, duke u rritur numri i bashkive që janë raste të reja, nga 44 në 50 bashki. Për sa i përket numrit të pacientëve të shtruar në spitale, kemi një rritej të rasteve, edhe pse duhet ët themi që rritja e numrit në spitale është një rritje e qëndrueshme, nuk jemi në një situatë alarmante, por duhet të kemi një kujdes të shtuar dhe një rritje të vigjilencës. Rastet e pacientëve të shtruar në terapi intensive kanë patur një rritje, nga 31 në 33. Sa i përket shfrytëzimit të shtretërve në COVID 1 dhe COVID 2 kemi një përqindje të tezaurimit me 47% te COVID 1 dhe 37% te COVID 2. Në të gjithë vendin vijon testimi në komunitet për të izoluar çdo rast në kohën e duhur. Kjo vjen dhe për shkak të festave të fundvitit. Do të kemi në zbatim masat që tashmë i kemi gjykuar që kanë dhënë impakt.