Skandali i sanitares në spitalin COVID-2, hetim personelit mbi skemën, do të pyeten edhe mjekët

Në lidhje me skandalin e pak ditëve më parë në spitalin COVID-2 në Tiranë, janë zbuluar detaje të reja nga hetimet e kryera.

Sipas burimeve, Prokuroria e Tiranës ka shtrirë hetimet edhe mbi personelin mjekësor të spitalit “Shefqet Ndroqi”, ku sanitarja Tire Alldervishi kishte zhvatur vajzën e një pacienteje, duke i marrë 8 milionë lekë për t’i shërbyer nënës së vajzës.

Prokuroria ka sekuestruar kamerat e sigurisë së spitalit për të parë se me kë kishte komunikim 58-vjecarja, duke qenë se ajo nuk punonte si sanitare në pavionin ku ishte e shtuar pacientja që humbi jetën nga koronavirusi dhe nga ana tjetër gjithashtu është sekuestruar edhe libri i shërbimeve për të parë se si ishin të ndara turnet dhe kush mjek dhe infermier ka pasur për detyrë të kujdesej për pacienten në fjalë.

Sakaq, prokuroria ka bërë me dije se ka marrë kartelën e mjekimeve që i janë bërë pacientes për ta krahasuar me recetat e ilaçeve që i janë kryer, për të vërtetuar nëse i janë dhënë të njëjtat medikamente, që sanitarja i ka dhënë denoncueses.

Pas kryerjes së këtyre verifikimeve organi i akuzës do të nisë me marrjen në pyetje të mjekëve dhe infermierëve.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT