Skënder Brataj zbulon se kur hiqen përfundimisht masat kufizuese dhe si do bëhet vaksinimi

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka deklaruar se masat kufizuese kundër COVID-19 në Shqipëri do të hiqen përfundimisht vetëm kur të bëhet e mundur arritja e imunitetit të tufës për COVID-19.
“Përfundimisht do të hiqet vetëm kur do të bëhet imunizimi i tufës, pra 60-70%. Duhet pasur shumë kujdes. Adoleshenca e merr në qafë familjen. Po shohim situatën në Korçë që ishte tipike e grumbullimit të Tiranës në festat e fundviti dhe tamam do ta shohim në fund të janarit. Edhe universitetet nuk duhet të hapen.
Mbajtja e maskës patjetër e jep efektin e vet pasi nuk po na mbërrin gripi akoma. Fundi i pandemisë nuk është i lidhur me vendin tonë por me të gjithë botën. Vaksina vërtet është fillimi i fundit të pandemisë por sa ka filluar. Do të durojmë edhe disa muaj të tjerë”, tha Brataj gjatë një interviste për Report TV.
Brataj u shpreh se plani i vaksinimit është i qartë. “Së pari personeli shëndetësor për tre arsye: pasi është më i rrezikuar, është burim infektimi dhe krijon probleme me menaxhimin e spitaleve. Pastaj me fashat e riskuara”,
I pyetur për efektet anësore të vaksinës, shefi i Urgjencës Kombëtare tha se efektet janë normale, si të gjitha vaksinat e tjera.
“Vaksina e jep efektin pas javës së parë të dozës së dytë. Efektet anësore janë të përbashkëta për të gjitha vaksinat. Ka pasur dhimbje koke, lodhje, temperaturë, dhimbje në vendin e vaksinimit por këto janë të gjitha efekte që jepen nga të gjitha vaksinat. E rëndësishme është që janë edhe të përkohshme. Vaksina ndaj bëhet për të zgjuar imunitetin”, tha ai.