‘SPAK nuk po lëviz shpejt, por…’/ Yuri Kim zbulon tre prioritetet e SHBA: Amerika gjithnjë ka qenë këtu

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim e ftuar këtë mbrëmje në emisionin “Real Story” në News24 u rrëfye pas një viti në detyrë.
Ajo u shpreh se ka qënë nder i jetës së saj të jetë ambasadore e SHBA në Shqipëri, ndërsa cilëson si momentin më të bukur udhëtimet e saj nëpër Shqipëri, ku ka takuar shqiptarët e zakonshëm.
Zonja Kim u shpreh se në Shqipëri janë tri prioritetet kryesore që SHBA ka: demokracia, mbrojtja dhe biznesi.
Kim foli edhe për marrëveshjen në Këshillin Politik për Kodin Zgjedhor.
“Mendoj ka qenë një vit plot ngjarje për marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe mendoj se jemi të kënaqur që mundëm të kishim një rol mbështetës por merita, nëse ka meritë, i shkon popullit dhe udhëheqësve shqiptarë. Mendoj se në shumë mënyra, prodhuan rezultate. Puna nuk ka mbaruar ende, por mendoj është shumë e qartë që udhëheqësit morën angazhime përpara meje, SHBA, popullit shqiptar, dhe prodhuan rezultate.
Për shembull, vitin e kaluar Gjykata Kushtetuese nuk ishte funksionale, tani është funksionale. Nuk është ende e përsosur, por funksionale, një hap madhor përpara për reformën në drejtësi. Së dyti, SPAK tani është funksional. Nuk po lëviz aq shpejt sa mendoj do shpresonin njerëzit, por po lëviz dhe mendoj është diçka e rëndësishme. Së treti, BKH është institucionalizuar, inspektorët janë marrë në punë dhe mendoj gjërat do fillojnë të lëvizin.
Dhe nuk janë vetëm këto. Siç jua kam thënë, për mua, në Shqipëri kemi tri prioritete: demokraci, mbrojtje dhe biznes. Fola për pjesën e demokracisë. Për mbrojtjen, këtë vit do të kemi diçka me shumë rëndësi dhe jam e kënaqur t’ju flas pak më shumë për të. Është hera e parë që e përmend në publik, por do të kemi atë që e quajmë stërvitjen ushtarake Defender 21.
Do të jetë një stërvitje e drejtuar nga Ushtria e SHBA në Europë dhe do të përfshijë rreth 26 vende të ndryshme, 30 mijë trupa. Do të jenë ndoshta 6 mijë trupa që do të kalojnë nëpër Shqipëri në maj dhe qershor dhe javën e ardhshme, Zv. Komandanti i Ushtrisë Amerikane për Europën dhe Afrikën do të jetë këtu për të informuar udhëheqësit e vendet dhe publikun se çfarë është kjo stërvitje. Pra, shumë domethënëse. Së treti, për biznesin, ju kujtohet vjet, më 3 tetor, nënshkruan një Memorandum historik dypalësh për Bashkëpunimin Ekonomik.
Dhe nuk janë vetëm fjalë. Brenda një ore, aty në vend, Bechtel – një kompani kryesore amerikane në botë – nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Qeverinë Shqiptare për të parë se ç’mund të bëjmë për të ndërtuar hidrocentralin e Skavicës. Pra, këta janë tregues shumë të mirë dhe jam e emocionuar për çfarë do të bëjmë në vitin 2021″, tha Yuri Kim.
E pyetur nëse “Amerika u kthye”, Kim tha “Nuk do të thoja Amerika u kthye, gjithnjë kemi qenë këtu.”