Të shëruarit nga Covid/ Probleme me kujtesën, rasti i dy shqiptareve: Fillon që nga çelësat e deri te…

Kaltrina Jupolli-Sejdiu, 30-vjeçare nga Prishtina deri para muajit nëntor të vitit të kaluar, nuk ka pasur asnjë problem me kujtesën. Por, prej kur është shëruar nga sëmundja COVID-19, humbja e kujtesës i është bërë pjesë e përditshmërisë.
“Harresën e kam aty për aty, nuk më ka ndodhur më herët që dikush të më dhurojë diçka e ta harrojë menjëherë, kjo po më ndodh aq shpesh. E shoh sepse unë me kujtesë kam qenë shumë mirë”, thotë ajo.
Ajo u infektua me koronavirus para tre muajsh, por shqetësimet me kujtesë i janë paraqitur pasi e ka tejkaluar sëmundjen COVID-19. Shqetësime me humbje të kujtesës ka edhe F.S, që u infektua me koronavirus para tre muajsh.
“Probleme me harresën kam pasur pas një muaji pasi e kam kaluar virusin dhe shpesh më ndodh brenda dy-tri orëve harroj se çfarë ka ndodhur”, tregon për Radion Evropa e Lirë, F.S.
Për efektet post-COVID janë duke u bërë edhe hulumtime shkencore. Në një artikull të publikuar nga ‘Harvard Medical School’, me titullin ‘Efektet e fshehura afatgjata të COVID-19′, argumentohet se si mund të ndikojë COVID-19 në aftësitë njohëse.
“Në jetën e përditshme, efektet njohëse në kujtesë, mund të çojnë në vështirësi për menaxhimin e ilaçeve, menaxhimin e financave, kuptimin e materialeve të shkruara dhe madje edhe në vazhdimin e bisedave me miqtë dhe familjen”, thuhet ndër të tjera në këtë hulumtim.