Ura e Matit rrezikon të shembet, historiani: “Missi” i Ballkanit ka rëndësi të madhe, lidhi veriun dhe jugun e Shqipërisë

Reshjet e dendura të shiut në ditët e fundit kanë rritur prurjet dhe nivelin e lumit Mat. Kjo ka sjellë dëmtimin e urës me harqe të ndërtuar në periudhën e mbretit Zog.
Situata është e keqe, pasi këmbët janë dobësuar. Arsyet e prishjes së urës dhe rrezikimit të shembjes së saj janë neglizhenca në riparime dhe gërryerjet e shumta në shtratin e Matit për të marrë inerte. Situata është e rënduar dhe shpresohet që të mos ketë prurje të shumta për të mos shkaktuar ndonjë “tragjedi” më të madhe.
Historiani Erald Kapri ishte ditën e sotme në studion e emisionit “Shqipëria Live”, ku tregoi rëndësinë e madhe që ka ura e Matit për vendin tonë.
“Kjo urë ka një rëndësi të madhe, pasi për herë të parë lidhet veriu i Shqipërisë me jugun e Shqipërisë. Për kohën kishte një rëndësi të madhe. E para urë e ndërtuar në këtë model në gjithë rajonin tonë. Është model më harqe lart. Shqipëria një vend kaq i vogël, bën një vepër të tillë”, tha historiani.
Sipas Kaprit, pompoziteti që ka patur kjo urë për në atë kohë ka qenë mjaft e madhe. “Vetëm Rruga e Kombit mund t’i ketë marrë vlerën që ka patur kjo urë”, shtoi ai.
Historiani tha: “Ura e Matit është vepra inxhinierike më e madhe në Shqipëri në shekullin XX dhe se quhet “Missi” i Ballkanit”.