1.8 milionë lekë për logon e kopjuar, reagon agjencia: Pagesa është e merituar, u nisëm nga shkronja “O”

Pas denoncimit publik që bënë artistët, duke e cilësuar logon e re të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit plagjiaturë, ka reaguar dhe kompania “Pika pro”.
Në këtë prononcim, fillimisht theksohet se shuma prej 1 845 000 me tvsh, ku shoqëria ka paguar 20 për qind të saj, edhe është paguar jo vetëm për logon e re siç edhe pretendohet, po për një numër të madh materialesh krijimtarie dizajni dhe video, që përfshin konceptin e logos, realizimin e librit të imazhit, video konceptuale, sigla dhe tranzicione, shembuj të materialeve promocionale etj.
Për opinionin që ngulmon në kopjen ekzakte të logos së re, kompania rendit disa nga pikat që kanë sjellë produktin final, që janë: Elementi kryesor rrethi solid i O-së, që ka formën e gojës dhe fjalës opera; fronti i shkrimit, kompozimi grafik i shkrimit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, ngjyra gold e logos, ngjyra e sfondit dhe pozicionimi në raport me hapësirën dhe vlera e saj estetike.
Përpos këtyre pikave shfajësuese , në këtë prononcim evidentohen edhe përngjasjet artistike që ekzistojnë mes logove të kompanive të mëdha, ku sipas kompanisë që është denoncuar për plagjiaturë, është e vështirë të gjendet se kush e ka kopjuar tjetrin.
Prandaj, kompania i sugjeron opinionit publik që të priten me profesionalizëm dhe respekt reciprok ndaj njëri-tjetrit zhvillimet dhe ecuria e mëtejshme. Pasi, sipas autorëve, pagesa e bërë për “Pika pro” është një pagesë e merituar ndaj një punë shumë voluminoze, profesionale dhe të ndershme të të gjithë stafit të saj.
Në rrjetet sociale artistët kanë denoncuar se logoja e re e TKOBAP është një plagjiaturë e vjedhur nga site ndërkombëtare, denoncim ky i ngritur dhe nga artisti i Arteve Pamore, Ardian Isufi.