Aksioni në gjykatë/ Mes të arrestuarve familjarë të dënuarve, mjekë e oficerë. Ka përgjime e filmime, si funksiononte korrupsioni

Me urdhër të SPAK sot është organizuar një prej operacioneve më të bujshme në radhët e gjyqësorit, ku është vënë në pranga gjyqtarja e shumëpërfolur Enkelejda Hoxha.

Gjatë bastisjes në Gjykatën e Krujës mësohet se janë arrestuar në total 13 persona, mes tyre kancelari i Gjykatës, kryesekretarja Ela Mallkuçi, si dhe avokati Tabaku.

Pas arrestimeve të bujshme, janë sekuestruar kompjuterat në Gjykatën e Krujës, si dhe raportohet se mes personave të arrestuar ka edhe doktorë dhe oficerë. Sipas Report TV ata lëshonin raporte fiktive të shëndetit për të burgosurit. Ato janë mbajtur prej kohësh në vëzhgim, e për këtë ka filmime, foto e përgjime. Gjthashtu mes të arrestuarve ka edhe familjarë të të dënuarve.

Enkeleida Hoxha ka liruar nga burgu disa nga emrat më të rrezikshëm të botës së krimit, përmes vendimeve të dyshimta. Të gjitha vendimet janë dhënë para se ajo të përballej me Vetingun.

Enkeleida Hoxha u ka hapur dyert e burgut ish-numrit dy të bandës së Durrësit Endrit Dokle, duke i falur dënimin përjetë.

Ajo ka liruar gjithashtu Genc Tafilin, i dënuar për vrasjen e komisarit të Policisë Arben Zylyftari. Në të njëjtën ditë ajo firmosi daljen nga burgu edhe të Ilir Pajës, i akuzuar për plagosjen e rëndë të një efektivi të njësisë operacionale të Policisë, më 6 mars të vitit 2008. Paja po arrestohej për llogari të autoriteteve italiane që e kërkonin pas arratisjes nga burgu, ndërsa ishte i dënuar për dy vrasje./Gazeta SHQIP

Back to top button
LAJMET E FUNDIT