Bllokimi i rrugëve nga dëbora/ Balluku: Janë zhbllokuar të gjitha akset, opozita mos bëjë akuza të ulëta

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha se janë zhbllokuar të gjithë akset në vend, që u bllokuan si pasojë e motit ekstrem me reshje të dendura dëbore.
Nga foltorja e Kuvendit, Balluku u shpreh se moti ekstrem nuk kurseu asnjë pjesë të territorit, por shtoi se sot është zhbllokuar edhe zona në pikën doganore të Qafë-Thanës.
Balluku nuk la pa shigjetuar edhe opozitën, ndërsa akuzat e tyre i konsideroi “sulme të ulëta” në kohë fatkeqësish natyrore.
“Shqipëria është goditur nga një vala e motit ekstrem, duke mos kursyer asnjë pjesë të territorit. Ka patur një reagim të menjëhershëm të shtetit, por kemi vënë re që kjo çështje, më shumë se njerëzore, një situatë që ka ndodhur në të gjithë Europën, është kthyer në një debat politik. Kemi patur stuhi dëbore, për të gjithë ata që bënë analiza nga divani i shtëpisë, do kishin bërë mirë të kishin dal në ato akse, ku situata ishte aq e ngarkuar ku nuk hapej dot as dera e makinës. Sot nuk kemi asnjë aks të bllokuar, edhe aksi i fundit që ishin 2 kilometra, që u bllokuan mbrëmë, në zonë e pikës doganore të Qafë-Thanës u hapën sot. Kemi qenë në kontakt me qytetarët që kanë patur probleme në këto akse. Kjo goditje është shumë e ulët, kur flitet për fatkeqësi natyrore”, tha Ministrja.