Bora bllokoi edhe Rinasin, avionët bënë ulje të detyruar në Bari. Njoftimi i aeroportit: Vonesa të fluturimeve parashikohen gjatë gjithë ditës së sotme
Reshjet e dendura të borës që arritën në trashësi nga 7-10 cm, kanë bërë që aeroporti i Rinasit të mbetet i bllokuar përgjatë orëve të natës duke pezulluar fluturimet e planifikuara ndërkohë që nga ana tjetër disa prej tyre kanë bërë ulje të detyruar në Bari.
Një avion i kompanisë Air Albania e cila ishte nisur mbrëmjen e djeshme nga Verona drejt Rinasit u ul në Bari pasi bëri disa rrotullime në qiell.

“Parashikohen vonesa të pacaktuara të fluturimeve të ditës së sotme, datë 14 Shkurt, për shkak të kushteve atmosferike. Do njoftojmë sërish për çdo ndryshim apo informacion tjetër. Faleminderit për bashkëpunimin”, thuhet në njoftimin e mëngjesit nga Tirana International Airport.
Në përditësimin e fundit të bërë në mesditë, aeroporti njoftoi se fluturimet kanë nisur normalisht
“Vijojnë fluturimet normalisht nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës. Shënohen disa vonesa të vogla gjatë ditës së sotme dhe për çdo ndryshim, ju lutemi vizitoni oraret në kohë reale tek www.tirana-airport apo kontaktoni kompaninë ajrore të udhëtimit. Faleminderit kush punoi dhe rrugë të mbarë kush udhëton, Tirana International Airport”, – thuhet në përditësimin e fundit.