Covid-19/ Agjencitë e turizmit të shqetësuar: Pranvera e djegur, vera në rrezik

Sipas Shoqatës së Tur-Operatorëve dhe Agjencive Turistike, viti 2021 do të karakterizohet nga një pranverë e “djegur” dhe një verë në rrezik, pasi nuk ka asnjë kontratë me tur-operatorët e huaj. Kufizimi i lëvizjeve për shkak të Covid-19 duket se do ta vështirësojë më tej rikuperimin e turizmit në vend.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në janar kanë hyrë në vend 185.3 mijë vizitorë të huaj, rreth 64.1 mijë më pak se e njëjta periudhë e 2020-ës.

Ndërsa gjithsej së bashku me shtetasit shqiptarë, hyrjet arritën në 405.7 mijë nga 693.9 mijë që ishin në janarin e vitit të kaluar.

I ftuar në “Wake Up”, përfaqësuesi i Shoqatës Shqiptare të Tur-operatorëve dhe Agjencive Turistike, Besnik Vathi theksoi se situata është mjaft shqetësuese për industrinë e turizmit.

“Statistikat në Shqipëri janë të lidhura thjesht me hyrjet në kufi. Dihet që kufijtë janë të mbyllur dhe megjithatë paskemi hyrje nga të huajt.

Po ta analizosh saktë, është lëvizja e atyre që kanë hyrë, shtetas të huaj, kryesisht janë vetëm ata shtetas të huaj që kanë vetëm pasaportën e huaj, janë shqiptarë emigrantë, të cilët kanë arsye të mëdha për të lëvizur. Lëvizin në kushtet e një pandemie, marrin përsipër riskun e karantinimit të tyre në vendin ku jetojnë për 14 ditë. Por, arsyeja e vetme që vijnë në Shqipëria është ajo familjare.

Kjo, duke u futur në statistikat e turizmit, fsheh realisht lëvizjet dhe hyrjet e turistëve realë që sjellin të ardhura në ekonominë shqiptare. Nuk janë shifra reale”, sqaroi ai.

Më tej shtoi: “Pranvera këtë vit do të jetë e djegur. Do të jetë e djegur, sepse kufijtë janë të mbyllur, nuk ka organizime, nuk ka lëvizje. Vera është në rrezik dhe në kushtet më optimiste nuk do t’i kalonte 60%”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT