Deputeti Papa: Greqia ka nxjerrë ushtrinë nga kazermat, ju duhet t’i përgjigjeni. Ruçi: Nuk jemi në luftë!

Në rendin e ditës në Parlament po diskutohet ligji për Statusin e Ushtrisë. Deputeti i opozitës, Kostaq Papa ka deklaruar në Parlament se shteti shqiptar duhet të reagojë, pasi Greqi fqinje ka mobilizuar ushtrinë e saj dhe nisur stërvitjet.
“Rregullimi i statusit përmjet këtij ligji ka të bëjë me veprimet e tuaja strategjike të gabuara, jo vetëm me gabimet që janë bërë me detin dhe jo vetëm. Nga veprimet e pamatura fqinjët tanë kanë 45 ditë që kanë nxjerrë ushtritë nga kazermat dhe ju merreni me fjalë. Në një kohë që duhet të përgatitni kazermat e Leskovikut, të Devollit të Gjirokastrës të Konispolit për të mbrojtur atdheun. Kjo është e një vërtetë ata e deklaruan ata vetë dhe e bënë vetë dhe u fshehën pas takimit me Turqinë”, tha Papa.
Ndërkohë që ai shtoi se “ky ligj është i domosdoshëm, pasi sjell përmirësimin e pagës në strukturat në ushtri dhe ka të bëjë me sigurinë kombëtare”. “Shteti i është borxh ushtarakëve të mëparshëm dhe të bëjë llogari se sa u ka borxh atyre që i janë vrarë apo plagosur në ushtri dhe t’u përgjigjet shoqatave të tyre me fondet e caktuara”, tha Papa.
Kryeparlamenti Ruçi ndërkohë i kërkoi deputetit të opozitës që të jetë më i përgjegjshëm në diskutimin e tij. “Edhe ju më i kujdesshëm se nuk jemi në një status lufte, pavarësisht se ligji i luftës nuk është abroguar”, tha Ruçi.