Diplomacia e Kinës me koronavirusin, si po luan rolin e shpëtimtarit të botës

Kina furnizon me maska, Kina furnizon me vaksina, Kina ndihmon të varfërit: Udhëheqja në Pekin po stërvitet për të shpëtuar botën. Dhe po ndërton gjithashtu statusin e saj si një fuqi botërore.

“Të gjitha shpresat e mia personale janë drejtuar drejt Kinës dhe presidentit të saj,” u tha presidenti serb Aleksandar Vuçiç shteteve të BE në mars të vitit të kaluar, sepse “solidariteti evropian nuk ekziston.” Arsyeja e shpërthimit të tij publik ishte ndalimi i eksportit të maskave dhe mallrave të tjerë mjekësorë nga Bashkimi Evropian në fillim të pandemisë.

Ajo që pasoi ishte një “diplomaci maske” kineze që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Aeroplanët nga Kina zbarkuan nëpër botë dhe shpërndanë maska ??që ishin “efektive” edhe në media. Ndonjëherë kemi pasur ndjenjën se kishte më shumë kamera përpara avionit kur ai ulej, sesa kishte maska ??të përdorshme brenda në avion. Përshtypja e Pekinit ishte gjithmonë e njëjtë: Partia Komuniste Kineze po shpëton botën.

Nuk u diskutua kurrë fakti që maskat ishin shitur me një çmim të lartë, që vendet blerëse ndonjëherë ishin të detyruara në mënyrë të njëanshme të heshtnin për çmimet.

Pekini vazhdon ende të luajë rolin e shpëtimtarit të botës në këtë pandemi, për një numër arsyesh.

Nga njëra anë, ka të bëjë me shpërqendrimin e vëmendjes nga dështimi i sistemit kinez kur shpërtheu pandemia. Nëse autokracia e Kinës do të lejonte pranimin e gabimeve, shpërthimi i virusit të ri në Wuhan nuk do të ishte fshehur për shumë javë, pavarësisht paralajmërimeve nga mjekët në rajon.

Fakti që tani Kina, më shumë se 14 muaj pas shpërthimit të virusit, po lejon një ekip ndërkombëtar hetimi në vend, por jo edhe në objektet kryesore në Wuhan, duket vetëm si një “gjethe fiku”.

Arsyeja e dytë, dhe më e rëndësishme, ishte frika nga stabiliteti i sistemit vetjak. Që nga marsi i vitit të kaluar, lajmi kryesor në Kinë për njerëzit e saj ka qenë se Partia Komuniste po administron pandeminë më mirë sesa pjesa tjetër e botës. Në propagandën e shtetit kinez, infeksionet iu ngarkoheshin importeve të mishit të derrit nga Gjermania ose nga SHBA.

Arsyeja e tretë është gjeostrategjia klasike. Ndikimi i tepërt i Kinës në Organizatën Botërore të Shëndetësisë është një nga shumë instrumente me të cilët Partia Komuniste po përpiqet të bëhet fuqia kryesore. Kjo shkon “dorë për dore” me një përzierje të përfshirjes në organizata ndërkombëtare, një politikë investimesh që thjesht injoron standardet “e bezdisshme” ekologjike, sociale ose të të drejtave të njeriut dhe një retorikë anti-perëndimore. Jo më kot ekonomia e dytë më e madhe në botë vazhdon të këmbëngulë për të qenë një “vend në zhvillim”.

Situata është shumë dramatike: Në dy shtetet e goditura ekstremisht nga dhuna, Afganistani dhe Meksika, shumë më tepër njerëz kanë vdekur nga korona dhe pasojat e pandemisë për ekonominë dhe sistemin shëndetësor, sesa nga armët e zjarrit ose eksplozivët në dhjetë muajt e fundit.

Dhe në këtë situatë pothuajse të pashpresë, 14 përqind e popullsisë së botës në vendet më të pasura kanë rezervuar 52 përqind të dozave të vaksinave që ka në dispozicion njerëzimi aktualisht.

Kina tani premton të vaksinojë të gjithë të varfrit në botë. Cilësia e vaksinave kineze është shumë e diskutueshme. Në fillim u tha që shkalla e efektivitetit ishte mbi 84 përqind – pothuajse dhjetë përqind më pak se vaksina Biontech – një studim i ri nga Brazili tani flet për një efektivitet prej vetëm 50.4 përqind. Pra, parulla e Pekinit duhet të jetë në të vërtetë: “Ne po shpëtojmë gjysmën e botës”. Megjithatë, duhet thënë se edhe kjo do të ishte më shumë ndihmë sesa po bën aktualisht Perëndimi.

Dhe pikërisht këtu fillon nevoja për veprim për evropianët. Nëse ne si demokraci nuk duam të humbasim ndikimin tonë në botë përgjithmonë, nuk duhet të shohim vetëm veten. Reputacioni i BE-së në botë si fituesi i Çmimit Nobel për Paqe do të vendoset në muajt e ardhshëm – ndoshta duke përcaktuar kursin për dekadat e ardhshme. A do të ndihmojnë vendet e pasura evropiane që vaksina të jetë e disponueshme për të gjithë, si pjesë e iniciativës së vaksinimit të Covax? A do të ndihmojë vendimi i Presidentit të ri të SHBA, Joe Biden për t’u bashkuar me Covax dhe për t’u ardhur në ndihmë të varfërve në botë? A do të heqë dorë më në fund Gjermania nga refuzimi i saj për të pezulluar licencat e vaksinave?

Kjo nuk është vetëm një çështje e moralit. Është gjithashtu një çështje e gjeostrategjisë së ashpër, për shkak se rivaliteti sistemik me Kinën është konflikti më i rëndësishëm ndërkombëtar i shekullit 21. Nëse duam të mbijetojmë si demokraci, duhet të qëndrojmë pranë atyre që kanë nevojë për ne në këtë krizë, më e vështira që nga Lufta e Dytë Botërore. Përndryshe, të tjerët do të bëjnë të njëjtën gjë – me pasoja serioze për demokracinë në të gjithë botën./ Marrë nga Spiegel, përktheu Gazeta SHQIP

Back to top button
LAJMET E FUNDIT