Do largohesh nga PS nëse humb zgjedhjet? Rama: Kemi një shprehje ne për hallën dhe xhaxhain…

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Vlorë ku vizitoi nga afër projektet si Muzeu Hebraik, apo kantierin e Lungomare 2. Madje Rama i dha edhe kartat e anëtarësisë në PS 30 shtetasve italianë, që jetonin në Vlorë, por për momentin pa të drejtë vote, ndërsa i premtoi së shpejti pasaportat shqiptare.
Rama tha se bilanci mandatit të dytë është i goditur në mes nga tërmeti dhe pandemia.
“Shumë parashikime që kisha u prenë prej tërmetit dhe pandemisë, por gjithsesi është i suksesshëm sa i përket menaxhimit të këtyre të dyjave. Ky mandate është mandate që më lë mua personalisht shijen e pakënaqësisë pasi kemi për të bërë shumë më tepër. Por të shohim nga u nisëm. Shqipëria që kemi sot nuk ka të krahasuar me atë që kishim para 7 vitesh” – tha Rama.
Rama komentoi edhe kandidaturat e reja për deputetë të Partisë Socialiste në Vlorë, ku konfirmoi se është e sigurtë që do të jenë drejtuesit e qarqeve.
“A i kanë përmbushur pritshmëritë deputetët aktualë këtë duhet ta thotë populli i Vlorës dhe jo unë. Kandidaturat janë një proces që ka nisur prej një viti. Një gjë është e sigurt, që drejtuesit e qarqeve do të jenë deputetë. Pastaj për pjesën tjetër pritet vlerësimi. Unë nuk kam asnjë vlerësim negative për deputetët, por të gjithë mund të kishin bërë më shumë. Emrat e rinj nuk është çështje moshe por energjish. Mund të jesh shumë i ri si Ilir Meta, por mund të jesh dhe plak aq i lodhur. Por mund të jesh i vjetër si Alfred Moisiu por mbetesh gjithmonë i ri”, tha Rama.
Duke folur për kandidatët e PD dhe LSI, Edi Rama tha se sheh vetëm një ekip me katër vetë.
“Unë shoh vetëm Saliun, Ilirin, Lulzimin dhe Monikën. Të tjerët nuk i shoh si ekip por si mbushësa topi”, tha Rama.
I pyetur se kujt do t’i drejtohej për koalicion pas 25 Prillit nëse do të kishte nevojë për të garantuar një mazhorancë, kryeministri u shpreh:
“Ne do t’i fitojmë zgjedhjet siç fituam mandatin e dytë me mjaftueshmërisht mandate deputetësh për të udhëhequr Shqipërinë. Pastaj se si do të gjendet rrugë bashkëpunimi mes forcave politike për të rritur cilësinë e bashkëjetesës, kjo duhet parë. Por koalicione nga halli nuk do të ketë”, tha Rama, ndërsa shtoi se e lehtëson fakti që Ilir Meta nuk do të bëjë kurrë koalicion me PS-në.
Kryeministri u pyet edhe nëse do të dorëhiqet si kryetar i PS pas 25 Prillit nëse nuk do t’i fitojë zgjedhjet.
“Ne kemi një shprehje për hallën dhe xhaxhain. Unë nuk di të flas me nëse… Unë di që do t’i fitojmë zgjedhjet”, u shpreh Rama.