Frashëri, një “djep” i vogël, që “përkundi” tre burra të mëdhenj.

Sejdo Harka
Kur merr udhën për në Frahsër të Përmetit, përpara, si në një ekran magjik, të shfaqet portreti i tre burrave të mëdhenj të kombit, si Abdyli, Naimi dhe Samiu, që i lindi dhe i përkundi ai ‘’djep’’ i vogël, por me dimensione të mëdha historike, atdhetare dhe kulturore, mbi- 500 vjeçare. Sapo kalon urën e Piskovës, si në përralla, sa të bukura aq dhe të mundimshme, të fanepset një rrugë e gjatë plot zig-zage, herë e ëmbël dhe herë e frikshme, që kalon përmes Luginës së Mokricës dhe Pagrisë, Kasolles së Kamencës dhe Qafës së Lepurit, Bredhit të Hotovës dhe Kokojkës, për të zbritur, pastaj, si me parashutë, mbi mrekullitë natyrore të Frashërt, i cili, atje mes maleve dhe pyjeve të shumta, i ngjan një kështjelle të lartë natyrore. Rreth kësaj kështjelle të çuditshme, plot lavdi e kulturë të lashtë, të shfaqen një mori fshatrash të krahinës së Dangëllisë si: Surropulli e Kreshova, Selenica e Ogreni, Gosivishti e Zavalani, Koblara e Vërçishti, Gostomica e Miçani…,të cilët, si të kapur dorë për dore, së largu, i gjajnë një gjerdani të gurtë, me të gjitha ngjyrat e spektrit natyror.
-Frashëri në gjurmët e historisë
Ai është një fshat malor, që shtrihet në jug të malit të Perëndive, Tomorrit, mes shpateve të thepisura të Kokojkës dhe Golikut, të cilët duket sikur prekin qiellin,18 km lag qytetit të Përmetit. Me shtëpitë e tij të gurta, karakteristike për këto anë, dhe konfiguracionin e tij të rrallë, Frashëri i ngjan një Shqipërie të vogël në miniaturë.
Etimologjia e këtij fshati buron nga “frashëri”, një pemë me një erë karakteristike të këndshme, që rritet në pyjet e këtyre anëve. Për herë të parë Frashëri përmendet në defterët turke të sanxhakut të Vlorës, në vitet 1431-32. Interesant është fakti se si luhatet kurba e zhvillimeve shoqërore dhe demografike të këtij fshati të thellë malor. Arsyetimet janë të ndryshme, por më bindëse janë ato që thekson historiani i njohur, biri i këtyre anëve, Kristo Fashëri. Ky fshat, theksohet në historiografinë shqiptare, në vitin 1506 kishte 41 shtëpi, ndërsa në vitin 1583 kishte 58 shtëpi, nga të cilat vetëm 8 ishin të besimit mysliman.
Aty nga fundi i shekullit XVII, kur kishte nisur shthurja e sistemit Feudo-Ushtarak Osman, për Frashërin po çelej një epokë e re. Ishte koha kur bejlerët dhe spahinjtë shqiptarë, s’mund të rrinin dot pranë feudeve të tyre, gati të shkatëruara. Ndaj, për t’u mbrojtur nga lëvizjet popullore, dhe nga ana tjetër, nga administrata Osmane, u vendosën në kështjella natyrore si Frashëri, larg kazave të tyre. Frashëri në atë kohë i ngjante Petrelës së Tiranës, ku strehoheshin bejlerët dhe spahinjtë, të cilët për t’u mbrojtur, ndërtonin kulla me frëngji, të rrethuar nga trimat e tyre, duke u kthyer në një krahinë gati autonome. Disa merrnin tituj e prona, ndërsa disa të tjerë krijonin çifligje në Luginën e Vjosës, në Myzeqe, në Korçë, dhe në Voskopojë. Ata që nuk i bindeshin Ali Pashës largoheshin jashtë vilajetit të tij. Kur atij i preu kokën Sulltani, u rikthyen në Frashër, për të vazhduar jetën dhe veprimtarinë e tyre. Për të bërë një jetë sa më të sigurtë Sulejmanbejllinjtë dhe Vilakët ndërtuan sarajet e tyre të fortifikuara në krye të fshatit, për të mbisunduar mbi popullin që e quanin raja. Me vete ata sollën edhe sejmenët e tyre. Rritja e popullsisë solli dhe rritjen e shërbimeve për bejlerët dhe popullsinë e krahinës së Dangëllisë, tregëtarët, zejtarët, bujqërit dhe çobanët. Ky zhvillim, ishte aq i dukshëm sa gjeografi janinjot Psalidha, Frashërin e vitit 1816 e quajti qytetin e dytë të kazasë, pas Përmetit. Ndërsa Samiu e quante vendlindjen e tij qytet të vogël malor. Në mesin e shekullit të XIX, Frashëri arriti kulmin e zhvillimit të tij demografik dhe shoqëror. Kishte 550 shtëpi, 1500 banorë, 22 lagje nga të cilat 18 ishin të besimit mysliman e 4 ortodokse, si dhe 22 dyqane tregëtare. Pas këtij kulmi një rënie të dukshme pësojnë edhe Dekollarët, paraardhësit e vëllezërve Frashëri. Megjithatë deri në vitet 30 të shekullit XIX, ata vazhdonin të ishin gati autonomë. Frashëri, dëmtimin më të madh e pësoi nga sulmet grekomane të vitit 1914, kur në gjithë Dangëllinë u dogjën 562 shtëpi. Por kjo krahinë nisi ta merrte veten përsëri. Në vitin 1923 këtë zonë numëroheshin 568 shtëpi. Kjo krahinë përmes veprimtarive atdhetare të vëllezërve Freshëri, u bë vatër e përgatitjeve për krijimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Frashëri mbështeti fort Luftën e Vlorës dhe Luftën Çlirimtare të vendit. Një zhvillimi të dukshëm demografik ky fshat mori gjatë viteve të sistemit monist, jo vetëm si produkt i kolektivizmit kooperativist dhe i politikave frenuese ndaj lëvizjeve demografike të popullsisë, por, për hir të së vërtetës, edhe për shkak të vëmendjes që iu kushtua në ato vite rritjes dhe mbajtjes së gjallë të fshatrave, për të mos lejuar zbrazjen dhe shkatërrim e tyre, siç ndodhi më vonë. Në vitin 1989, vetëm qendra e Frashërit kishte rreth 100 shtëpi, shkolla, qëndra shëndetësore, spitale, qendra kulturore e muzeale dhe rrugët që lidhnin Frashërin me Përmetin dhe fshatrat e kësaj krahine përreth. Frashëri shquhej për prodhimin e drithërave dhe veçanërisht për arrët dhe mollët cilësore. Por, mbas vitit 1990, si rezultat i proceseve demografike dhe politikave të gabuara 30-vjeçare që nxitën shkatërrimin e plotë të fshatit, bëri që si shumë fshatra të tjera, edhe Frashëri, ky vend jo vetëm me mundësi të mëdha prodhuese, por dhe me vlera të mëdha kulturore, atraktive dhe turistike, të zbrazet plotësisht. Sot në Frashër nuk ka më tepër se 6-7 shtëpi me rreth 30-35 banorë, aq sa ai kishte nëfillimin e viteve 1400. Sot në këtë vend, me një bukuri natyrore të rrallë, duket sikur çdo gjë ka pushuar së ekzistuari, përveç mrekullisë së maleve dhe pyjeve të pafund që Zoti na i dhuroi me duart e tij të bekuara.Nga gjithë ajo pasuri që banorët e këtyre anëve krijuan me duart dhe mundin e tyre për gati një gjysëm shekulli e gëlltiti, si brenda një nate “goxilla’’shkatërruese e të ashtuquajturës ‘’terapia e shokut’’. Sot, thonë frashërllinjtë, në këto anë ka mbetur vetëm një punishte që mbledh dhe përpunon qumështin e pakët të këtyre anëve me mundësi të mëdha për zhvillimin e blegtorisë.Na falni, vazhdojnë ata,sa me ironi, aq dhe me dhimbje, ka mbetur edhe ndërtesa muzeale që u ngrit në vitin 1974, për të përjetësuar, emrin dhe veprën e 3 vëllezërve Frashëri, e cila kur u ngrit kishte 9 dhoma të mbushura me materjale arkivore dhe sende me vlera të mëdha historike e kulturore.Por sot, fatkeqësisht kanë mbetur vetëm dhomat me muret e tyre të ftohta. Kjo qendër muzeale, që dikur gumëzhinte nga veprimtaritë historike kulturore e artistike dhe nga vizitorët që vinin nga e gjithë Shqipëria, bile dhe përtej kufijve të saj, sot ka pushuar së qeni e tillë. Porta e këtij muzeu sot ka mbetur nën pushtetin e një kyçi të ndryshkur dhe të një guaje të paarsimuar, që e hap ndoshta një herë në javë për ta ajrosur dhe shkundur nga pluhurat. Frashëri, që dikur ishte një qendër e madhe kulturore dhe historike me vlera të rëndësishme atdhetare, sot çdo gjë është nën pushtetin e gërmadhave dhe të shkatërrimit të plotë, edhe pse ka mundësi të mëdha turistike atraktive. Bukurive përrallore të këtyre anëve u këndoi jo vetëm Naimi, por dhe shumë poetë të tjerë si Dritëro Agolli. Ja si i këndon ai natyrës së rrallë të këtij fshati:’’O Frashër, ty të përshëndes,\ Ku ngrihen shpate të thepisura,\Ku skuqet maja në mëngjes\Nga dielli i kuq i porsalindur’’. Në pjesën perëndimoere të tij shtrihen hapësira të mëdha pyjesh me dushk e mare, shkurre e lëndina, me mundësi të mëdha ekonomike dhe blegtorale. Një pasuri e madhe e këtyre anëve është Parku Kombëtar i Bredhit të Hotovës me një sipërfaqe prej 1155 km2,ku një vend të rëndësishëm zë zona e gështenjës, ahut dhe mares. Mrekullitë e kësaj krahine shtrihen në një terren të thyer malor,nga 950 m deri 1572 m mbi nivelin e detit,me një dimër të gjatë e të ftohtë që arrin deri në -22 gradë dhe me një behar të freskët e të ëmbël. Ky vend ka edhe një faun të pasur. Sot janë shtuar kafshët e egra, si ujku dhe ariu, derri i egër dhe kaprolli, dhelpra, lepuri, ketri, thëllëza dhe pëllumbat e egër. Kjo zonë është e pasur edhe me ujëra të ftohta dhe termike.
Një rol të veçantë për ushqimin shpirtëror të njerëzve të këtyre anëve, ka luajtur edhe Teqeja e Frashërit, e cila ka funksionuar, jo vetëm si kult i besimit, por edhe si qendër e edukimit atdhetar. Ndaj frashërllinjtë, edhe sot e kësaj dite i këndojnë: “Brez pas brezi na mëkove/Na dhe dritë Perëndie/Ti je vatër atdhetare/Je frymëzim lirie”. Por ç’ndodhi, në të vërtetë, në vitin 1967, kur në të gjithë vendin nisi lufta kundër besimit fetar?! Ja ç’tregon dëshmitari i kësaj ngjarje, frashërlliu Idajet Kalaja. Në këtë teqe, ato vite, shërbente baba Muhamet Zyko nga Salaria. Një natë dimri atij i shkuan në shtëpi për ta provokuar dy sigurimsa. Mbasi e dehën mirë, afër mëngjesit, i vunë një thikë në dorë dhe e akuzuan se gjoja i kishte kërcënuar për t’i vrarë dhe se gjoja kishte sharë partinë dhe pushtetin. Pasi e rrahën, e lidhën këmbë e duar dhe e nxorën në mes të fshatit për ta pështyrë si tradhëtar e armik.Kur besimtarët e tij e panë ashtu të lidhur,të lebetitur e përlotur nisën të pyesnin njëri-tjetrin: “Ç’paska bërë babi ynë i mirë…’’! Pastaj sigurimsit si xhelatë të pamërshirshëm e nisën baba Muhametin, edhe pse ishte i rënduar nga mosha ,me duar në hekura 8 orë në këmbë për në qelitë e Përmetit. Mbasi ai bëri 14 vjet burg për agjitacion dhe propagandë, i përmallur për shtëpinë ku kishte ndenjur dhe besimtarërt qëe përcollën me lotë atë natë që e arrestuan, për të vetmin faj se predikonte besimin dhe atdhetarizmin shqiptar, shkoi në Frashër. Sapo hodhi sytë në oborrin e shtëpisë ku kishte ndenjur para 14 vitesh, pa një gropë të hapur, ku dikur kishte fshehur disa monedha për ditë të vështira. Dhe ashtu i tronditur, si atëherë kur e lidhën këmbë e duar, tha me vete: “Ata që nuk të kursejnë as kokën, s’ka se si të mos të rrëmbejnë edhe mallin e gjënë”.
-Tre burrat e mëdhenj që i dhanë Frashërit dhe Shqipërisë lavdinë e tyre
Familja e madhe e frashërllinjve kishte 8 fëmijë (6 djem dhe 2 vajza), por ata që shkëlqyen me mendimin dhe veprënn e tyre ishin: Abdyli, Naimi dhe Samiu. Për të nderuar dhe kujtuar emrin dhe sakrificën e tyre, populli i këtyre anëve vazhdon t’u këndojë me vargjet: “Ishin tre vëllezër,\Që të tre pishtarë,\Nëna që i lindi,\ Ç’grua paskësh qën’ vallë’’!
Abdyl Frashëri (1839-1892) ishte politikani dhe diplomati që i dha Shqipërisë emër dhe zë nëpër botë. Filozofia diplomatike dhe atdhetare e tij, mbështetej mbi parimet bazë të së drejtës së kombeve për të krijuar një shtet të pavarur, që kërkon të jetojë në paqe, begati, zhvillim dhe liri të vërtetë. Periudha e shthurjes së Perandorisë Osmane ishte sa e favorshme aq dhe e rrezikshme për Shqipërinë. Në kohën kur Abdyli ishte deputet i Perandorisë për vilajetin e Janinës, krahas diplomacisë së jashtme, i duhej të bashkonte dhe shqiptarët. Prandaj luftoi të bashkonte lëvizjen patriotike të Janinës me atë të diasporës së Stambollit. Që kur ishte 38 vjeç ai mendonte se çdo liri dhe begati vjen me sakrificë, me arsim, dhe dituri në luftë kundër përçarjes dhe despotizmit Otoman. E bukur është sentenca e tij thellësisht iluministe për arsimin dhe diturinë, me të cilën u drejtohej shqiptarëve në ato kohëra: “Nëse do mbillni për një vit, mbillni misër dhe grurë\Në se do mbillni për gjithnjë, mbillni arsim dhe kulturë’’. Në vitin 1879, Abdyli, në krye të Komitetit Qëndror të Lëvizjes Patriotike Shqiptare kundërshtoi hapur Traktatin e Shën-Stefanit që synonte coptimin e Shqipërisë. Thirrjet e shqiptarëve me në krye Abdylin e dëshpëruan thellë Sulltanin. Prandaj e thirrën në Stamboll për ta trembur,kërcënuar dhe penguar krijimin e Lidhjes Shqiptare të Prizërenit, por ai nuk u tremb kurrë. Bashkë me shokët e tjerë, më 10 qershor 1878, me 110 delegatë të ardhur nga Kosova, Janina, Manastiri dhe Shkodra, krijuan Lidhjen Shqipëtare të Prizërenit. Në këtë kuvend të madh, ai midis të tjerash tha: “Ne shqipëtarët rrjedhim nga pellazgët dhe jemi populli më i vjetër i Ballkanit. Qëllimi i mbledhjes së sotme është t’u presim hovin armiqëve të egër, duke lidhur besën shqipëtare dhe duke u betuar për t’i mbajtur trojet tona të lira, ashtu si na i kanë lënë stërgjyshërit tanë”. Ai, bashkë me Jani Vreton përgatitën rezolutën e Lidhjes Shqiptare për t’ja bërë të njohur fuqive të mëdha, që përgatitnin copëtimin e Shqipërisë. Në ballafaqimin me kancelarin gjerman, Bismarkun,i deklaruan atij se do t’i mbronin me çdo kusht e sakrificë trojet shqiptare. Në këtë kuvend Abdyl Frashëri u konsiderua si truri dhe shpirti i Lidhjes Shqipëtare të Prizrenit, sepse me aftësitë e rralla dhe komunikimin e ngrohtë, ai dinte t’i bindte njerëzit. Ja ç’u thotë besimtarëve dibranë, kur ata hezitonin të bashkoheshin me kundërshtarët e gjakësit e tyre: ”Çdo njeri e ka një Atdhe dhe një kanun. Si thoni, kush duhet t’i shërbejë njëri-tjetrit. Atdheu, të cilin e ka bërë natyra, apo kanuni, të cilin e kanë bërë njerëzit. Secili prej nesh ka 2 duar. Le të vërë mbi njerën Atdheun, dhe mbi tjetrën kanunin dhe le të thotë se kush peshon më tepër?!” Kjo bisedë e ngrohtë me besimtarët dibranë i bëri ata të përgjigjen njëzëri: “Gjakun e kemi falë, bvesa-besë”,duke përqafuar kundërshtarët si vëllai me vëllanë.
Naim Frashëri, (1846-1900) ose siç i këndon populli “Naim Shqipëria”, është djali i dytë i familjes Frashëri. Atë që vëllai i madh, Abdyli e bëri me politikë dhe diplomaci, Naimi e bëri nëpërmjet magjisë së fjalës poetike dhe lëmimit të gjuhës shqipe. Është kjo arsyeja që ai thirret me epitetin “bilbil”i gjuhës shqipe. Edhe pse punoi dhe jetoi në mërgim, jashtë Atdheut, ai u tret si qiriri për Shqipërinë, shqiptarët dhe gjuhën shqipe. Edhe pse për Naimin është shkruar shumë, përsëri në arsenalin e tij poetik ka vlera që duhen zbuluar dhe rizbuluar vazhdimisht. Universi i vlerave të tij poetike është, aq i gjerë, sa dhe natyra e shpirti i bukur i popullit shqipëtar, të cilin e gjejmë të botuar në 7 vëllimet e veprave të tij të zgjedhura. Ai ndikoi tek shqiptarët, aq sa Homeri tek grekërit e lashtë. Për shkak të filozofisë panteiste dhe iluministe, Naimi shkroi më shumë për Shqipërinë e dëshiruar dhe të ardhshme, se sa për gjëndjen e saj të mjerë. Edhe kur të tjerët e kishin për turp emrin shqipëtar, ai shkruante vargjet: “Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqipëtar…”. Ndësa në pritje të ditëve të bardha të lirisë, ai shkruante: “Pse s’po vjen o ditë e mjerë?/As hidhë gardhë/Dhe shpejto pakë/Se të pres/Nukë vdes”. Duke qenë i ndërgjegjshëm për vlerat e mëdha që ka gjuha për kombin dhe lirinë e vendit, ai shkruan: “Gjuha jonë sa e mirë, sa e ëmbël sa e gjerë/Sa e lehtë sa e lirë/Sa e bukur, sa e vlerë”. Kur shihte se shqipëtarët jetonin të përulur dhe në robëri,Naimi iu drejtohej atyre me vargjet alegorike: “Kopshti i zemrës, nuk më ka trëndafilë/as një gjethe, asnjë pemë, as zymbyla”. Për Naimin Atdheu dhe vendlindja është gjithçka. Këtë kërkon t’ja u ngulisë në mëndje të gjithë shqipëtarëve.Ndaj,nga mërgimi u drejtohet me vargjet apostrofike: “O Atdhe/më je i dashur sa më s’ka/më je nënë, më je motër, më je vëlla/Nga ç’ka rrotull më i shtrenjti ti më je/Je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhe”. Si panteist, Zotin e gjente kudo, ndaj shkruan: Ç’sheh, është Zot i vërtetë/Ç’dëgjon është zëri i tja/Është vetë Perëndia”. Tepër të bukur janë vargjet që Naimi i kushton Abas-Aliut: “O moj fushë e Qerbelasë/që më rri ndër sy,/Ç’është ay që shkon kaluar,/është Abas-Aliu’’. Ndërsa tradhëtarët e kombit i stigmatizon me vargjet pamfletike: “Hiqni dorë,/mbidhni ment e turpërohi/Mos u bëni tradhëtarë,/Se pastaj do të pendohi”! Një nga perlat e poezve të tij, sa të drejtpërdrejta, aq dhe metaforike është poezia filozofike “Fyelli”.Ja disa nga vargjet më pikante të saj:”O Rrëmet i njerëzisë/Zëri i fyellit s’është erë,/Ky është zjarr i dashurisë/Që i ra kallamit mjerë/I dha erë trëndafilit/I dha dritë bukurisë/I dha këngëtë bilbilit/I dha shije gjithësisë”.Vepra e Naimit është e papërsëritshme, prandaj kur ai vdiq,Çajupi shkruante vargjet:’’Vdiq Naimi ,po kush mbeti?\Si Naimi s’ka të tjerë’’. Një punë e madhe po bëhet kohët e fundit për përvjetorin e Naimit, të cilën e kanë quajtur “Viti i Naimit”. Studiuesi dhe botuesi i njohur Memet Gzhilli,i apasionuar pas këtij kollozi të letërsisë shqipe, ka vite që punon për botimin dhe ribotimin e veprave të tij.Pas botimit të antologjisë’’105 poetë për Naim Frashërin”,ka nisur përgatitjen dhe botimin e serisë së gjithë krijimtarisë së Naimit në 10 vëllime . Këtë vit ai,për nder të Naimit, përgatiti,ekspozoi dhe promovoi ekspozitën”Ti Shqipëri më jep nder”,në Muzeun Historik të Shqipërisë dhe në Kryegjyshatën Bektashiane Shqiptare në Tiranë.Në vazhdim të kësaj lëvizjeje kulturore atdhetare, ai mendon që këtë ekspozitë,në Maj të këtij viti,me rastin e përvjetorit të lindjes së Naimit, ta paraqesë edhe në Përmrmet.
Sami Frashëri, (1850-1904) ky mendimtar i madh, ishte ideologu, që nëpërmjet veprës së tij “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është, dhe ç të bëhet”, projektoi Shqipërinë e sotme dhe të ardhme. Kjo vepër, botuar në gjuhën shqipe në Bukuresht, në vitin 1899, u sulmua ashpër nga shërbëtorët e Sulltanit, por Samiu nuk u tremb kurrë. Në këtë manifest politiko-letrar ai i jep përgjigje shumë çështjeve që kanë të bëjnë me Shqipërinë e djeshme, të sotme dhe të ardhshme. Në atë kohë, ai shqetësohej për lavdinë e humbur të Atdheut të tij,të cilinnë atë kohë e shihte ,siç shkruan ai “lakuriq dhe me këmishë”. Në qendër të kësaj platforme kombëtare ai vendosi dëshirën dhe mundësinë e madhe që Shqipëria kishte për të dalë e pavarur. Për të, nuk mund të kishte Shqipëri pa shqipëtarë dhe gjuhë shqipe. Dhe, ne, shkruan ai, nuk duam të rrëmbejmë gjënë e të tjerëve, por nuk duam që as të tjerët të rrëmbejnë gjënë tonë. Por, që të fitojmë lirinë, duhet të jemi të bashkuar. Shqiptarët duhet të bashkojnë fjalën midis tyre, për të kërkuar të drejtat dhe lirinë që u takon. Lidhjen Shqiptare e shihte si formë të organizimit të shtetit autonom shqipëtar. Samiu ishte për një qeveri mëmëdhetare që do të drejtohej nga një Këshill Pleqësie, i cili do të kryente funksionin e parlamentit. Shteti do të funksiononte mbi bazën e pronës private, me strukturë demogratike, të mbushur me shkolla, kulturë dhe akademi shkencash. Ai hidhte poshtë mendimin e të huajve se shqipëtarët janë të ardhur nga Azia dhe mbrojti tezën se shqipëtarët kanë ardhur nga pellazgët e vjetër që kanë jetur në trojet ilire. Shqipëria ka pasur burra të shquar si: Pirrua, mbreti i Epirit dhe Skënderbeu që e mbajti vendin e tij 25 vjet të pavarur nga Turqia. Shqipëria, për të, është një nga vendet më të bukura të botës.Për Samiun, rëndësi të veçantë për një komb ka edhe gjuha, pasi siç shkruan ai “Një gjuhë që nuk shkruhet, nuk këndohet, nuk zinetë gjuhë”. Për ta bërë Shqipërinë, theksonte Samiu, duhet të projektosh të ardhmen e tij. Forca e saj do të jetë besa, lidhja dhe qeverisja e paskëtajshme, që do të drejtojë vendin. Kshilli i Përgjithshëm, sipas tij, do të kishte 100 vetë, ku ministrat do të jepnin llogari para tij. Vendi do të kishte ushtrinë e vetë, diturinë, shkollat e përgjithshme, akademinë, rrugët, shoqërinë e vaporrëve, pyjet, mjeshtëritë e zanateve, tregëtinë, bujqësinë, blegtorinë, punët e begatisë dhe bankat…
Figura dhe vepra e vëllezërve Frashëri është përjetësuar jo vetëm në emra shkollash, rrugësh, veprash dhe institucionesh të tjera, por edhe në këngët e popullit që këndohen brenda dhe jashtë vendit. Ja si këndon populli për 3 vëllezërit Frashëri: “Që të tre burra të ndjerëNa nderuan mëmëdhenë”.