Haradinaj për mini-schengenin: Është gjë e keqe, përfiton Serbia

I pari i AAK-së, Ramush Haradinaj, konfirmoi se partia e tij për një moment kishte dalë nga koalicioni me LDK-në, më 4 shtator, kur pritej të firmoseshin zotimet ndaj SHBA-së në Washington.
Haradinaj tha se shkas ishte teksti për liqenin e Ujmanit, që e bënte hisedare të barabartë Serbinë.
Sipas tij, më pas teksti u ndryshua dhe tash është i pranueshëm për të dhe AAK-në. Haradinaj tha se është një pikë tjetër ku nuk pajtohet nga ajo që është nënshkruar në Washington nga kryeministri Avdullah Hoti – mini-schengeni.
“Problemi ynë është mini-schengeni, është një ide që përfiton vetëm Serbia, merr krejt privilegjet në rajon. Do të ishte shumë më e pranueshme që të bëhej njohja e Kosovës, apo të afrohej kjo njohje dhe më pas të ndodhte mini-schengeni. Këtu i kemi shqetësimet tona”, tha Haradinaj.
Dy ditë më parë, kandidati i LDK-së për kryeministër, Hoti, tha se në Washington nuk është ndërruar asnjë presje nga ajo që është firmosur, gjë që Haradinaj tha se po.
“Ne vetëm kishim dalë nga koalicioni, por ndodhën disa ndryshime dhe e bën të pranueshme marrëveshjen për çështjen e liqenit të Ujmanit. Nuk shohim ndonjë të keqe nga fizibiliteti që ia kemi lënë SHBA-së. Nuk del ndonjë obligim. Ndërkohë që më herët thuhej se Kosova e Serbia duhet të merren vesh për shfrytëzim të përbashkët të liqenit”, shtoi Haradinaj.