Hashim Thaçi sërish para Gjykatës Speciale në Hagë, caktohet data dhe ora e seancës së radhës për ish-presidentin e Kosovës dhe ish-krerët e UÇK

Gjykata e Hagës vendosi që ish-presidenti Hashim Thaçi të ketë paraqitjen e radhës para Dhomave të Specializuara në Hagë më 11 shkurt.
Kështu është bërë e ditur në faqen zyrtare të Gjykatës Speciale, ku thuhet se javën tjetër prej orës 11:00, do të mbahet konferenca për ecurinë e çështjes ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të UÇK që ndodhen në paraburgim në Hagë.
Fjala është për Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, ndërkohë kjo seancë vjen vetëm 3 ditë para zgjedhjeve të parakohshme në vend.
Sipas aktakuzës, veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe me krime kundër njerëzimit, burgosje.
Po ashtu përmenden edhe akte tjera çnjerëzore, si: torturë, vrasje të paligjshme, zhdukje me forcë e personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.