LDK parti e tretë, Naser Rugova sinjale pro Vjosa Osmanit: Garda e vjetër duhet të largohet

Lëvizja Demokratike e Kosovës ka pësuar mbase rezultatin më të dobët në këto zgjedhje, edhe pse kjo parti i rezistoi dikur pas luftës për çlirimin të vendit dhe të krijimit të PDK-së së Hashim Thaçit.
Në votimet e fundit, LDK renditet e treta pas PDK-së, ndërsa dukshëm Vetëvendosja ka arritur të mbledhë vota pothuajse se të tri partitë humbëse në zgjedhje që para 14 shkurtit synonin të merrnin pushtetin.
Përçarja në LDK, shkëputje e Vjosa Osmani, si dhe mos angazhimin e kryetarëve komunave solli humbjen e thellë dhe madje në bastionet e tyre.
Ish-deputeti i LDK-së, Naser Rugova kërkon që kryesia e partisë duhet të japë dorëheqje dhe të largohet menjëherë.
Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se disfata që e pësuan në këto zgjedhje, sidomos në bastionet e tyre, tregon që komplet garda e vjetër e partisë, që me vite po i ikin reflektimit, duhet të largohet.
Rugova ka thënë se të rinjtë që kanë shkuar në parti duhet të reflektojnë e të mësojnë nga kjo përvojë.
“Ka ardhur koha të ndahemi përgjithmonë nga arroganca, narcizmi dhe egot e sëmura. Le të reflektojmë, le të veprojmë dhe le të kthehemi më të fuqishëm se para. LDK është pasuri fondamentale e këtij populli”, ka shkruar ai.
Gjithashtu ai bëri thirrje që LDK-ja të qëndrojnjë në sallë e t’ia bëjë kuorumin Vjosa Osmanit për presidente, duke theksuar se është e rëndësishme që masat të bien deri në fund.
“Urime fituesit. Urojmë që Albini të mbajë premtimet dhe të mos viktimizohet më tutje. Tani e ka kohën që të përqafojë përgjegjësinë që ia kanë dhënë qytetarët dhe të mos aktrojë më. Sa për Vjosën. Mendoj që deputetët e LDK-së duhet të rrinë në sallë dhe t’ia bëjnë kuorumin për zgjedhjen e Presidentit. Është shumë me rëndësi që maskat të bien deri në fund dhe që, të gjithë ata votues të LDK-së që i besuan, ta kuptojnë se e tëra, gjithë histeria e saj, ishte vetëm për poste dhe përfitime personale. Në demagogjinë e saj nuk ka as edhe një pikë sinqeriteti dhe kjo do të shihet edhe më shumë në periudhën që kemi para”, shprehet Rugova.