Manastirliu: Ushqimet për pacientët i sjellin vetë në spitale, nga Turqia do marrim testimet e veçanta të Covid

Shqipëria do të marrë ndihmë nga Turqia për testet e veçanta që do të identifkojnë llojet e reja të Covid. Këtë e deklaroi ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në konferencën e sotme për shtyp. Sipas saj kjo është ndihma që po i jep shteti turk Shqipërisë për përballimin e kësaj situate.

Manastirliu u pyet edhe për faktin që shumë qytetarë po dërgojnë ushqime në spitale ku familjarët e tyre po trajtohen me Covid.

Manastirliu tha se shteti dhe sistemi shëndetësor mund ta ofrojë. Por, shtoi ajo, në këtë rast kemi të bëjmë me një kërkesë të familjarëve që është plotësuar.

“Të gjitha spitalet në vend ofrojnë ushqimin, një pjesë ofrohen përmes kateringut, përmes një kontrate, si Covid2. Një pjesë tjetër e bëjnë mes stafeve të tyre. Ende s’kanë kontratë me të tretë. Covid-2, Infektivi e me radhë. Ishte një vendimmarrje e strukturave të spitaleve që të lejonin një kanal komunikimi me familjarë, ushqim e ndërresa.”

Ministrja theksoi se i kanë lejuar familjarët që të sjellin ushqim për t’u krijuar të sëmurëve një formë afrimiteti me të afërmit.

“Rregulli i përgjithshëm para pandemisë, është që nuk lejohen ushqime nga jashtë. Në spital merr dieta të caktuara kalorike. Është vendosur nga vetë mjekët, pandemia ka krijuar edhe një lloj gjendjeje jo të mirë emocionale. Kjo ishte një mënyrë për të qenë afër familjarit. Jo se spitali e shteti nuk i garanton, por sepse ka qenë një kërkesë e familjarëve që është pranuar.”

Manastrilu tha po ashtu se kjo “sistem” i ngritur në këtë rast i ka bërë që të reflektojnë e të marrin masa të mëtejshme që të bëhet një sistem të kontrollit segmentar në të gjitha hallkat.

“Korrektësia nuk mund të vihet në dyshim, nuk mund të hidhet poshtë puna e madhe që bëhet.”

Back to top button
LAJMET E FUNDIT