Masa të buta për shkak të zgjedhjeve? Si reagon Rakacolli ndaj mos ndryshimit të kufizimeve

Komiteti Teknik pavarësisht se e cilësoi si alarmante situatën e shkaktuar nga Covid vendosi që të mos ndryshonte orarin e kufizimeve. Më herët është përfolur se Komiteti parashikonte ashpërsim të masave si kufizim deri në 18:00 dhe madje dhe mbyllje në fundjavë.
Por ndryshe sa isha përfolur, Komiteti Teknik nuk mori vendim për kufizim oraresh të reja.
Zv/ministrja Rakacolli gjatë fjalës saj tha se situata në vend mbetet delikate, por shifrat tregojnë që në ditët e fundit kemi një tendencë në ulje të cilat do të vlerësohen në vazhdim. Ajo shtoi se masat aktuale do të mbeten në fuqi, pra të pandryshuara. Por a lidhen këto masa me faktin se Shqipëria ndodhet në prag të zgjedhjeve dhe kufizimet mund të çojnë në pakënaqësi te njerëzit?
Rakacolli kësaj pyetje të drejtuar nga gazetarët e mohoi që të kishte një lidhje me afrimin e zgjedhjeve. Ajo u shpreh se masat janë gjykuar në lidhje me treguesit dhe se shëndeti i njerëzve është mbi gjithçka tjetër, pavarësisht situatës politike.
“Absolutisht nuk lidhen me zgjedhjet. Kjo sëmundje ishte ngjarje e re për të gjithë botën. Të gjithë nisemi nga shkenca epidemiologjike, nga indikatorë të ndryshëm. Masat që janë arsyetuar se mund të jenë ndalës dhe frenues janë të ndryshme në vend të ndryshme. Shqipëria me shifrat që ka pasur mendojmë që deri tani masat kanë qenë të arsyeshme pasi janë marrë për të ruajtur shëndetin e njerëzve dhe nuk lidhen absolutisht me asnjë lloj situatë të caktuar politike”, tha Rakacolli.
Mw tej ajo shtoi se “të tërë nisemi nga shkenca epidemiologjike, nga masat që shkenca epidemiologjike sugjeron. Komiteti i ekspertëve në vazhdimësi i ka gjykuar masat në lidhje me treguesit. Strategjitë që kanë ndjekur vende të ndryshme janë të ndryshme. Akoma nuk është provuar një strategji që është e mirë për të gjithë. Nga bilancet e deritanishme, Shqipëria me shifrat që ka pasur, masat kanë qenë të arsyeshme. Çdo masë që propozohet, për të ruajtur shëndetin e njerëzve mbi gjithçka tjetër. Shëndeti është prioritet”.