Ndëshkohen edhe ministrat, gjobitet me 50 milionë lekë të vjetra Blendi Klosi

Prej dy ditësh policia ka vepruar me “dorë të hekurt”, duke mos toleruar askënd që shkel masat antiCOVID.
Pas gjobës së vendosur dje ndaj ish-deputetit të LSI, Endrit Brahimllari, radhën për t’u gjobitur e kanë ministrat e Ramës. Mësohet se Blendi Klosi është gjobitur me 5 milione lekë te reja, pasi ka thyer masat anti-covid, pasi ka organizuar një aktivitet politik në Berat duke grumbulluar shumë persona, në kundërshtim me ligjin.
“Shërbimet e Policisë kanë ndëshkuar me masë administrative 5.000.000 lekë, shtetasin B. K., përfaqësues i një subjekti politik, pasi ka organizuar një aktivitet duke grumbulluar persona, në kundërshtim me pikën 2 të nenit 3 të Aktit normativ Nr. 3 të datës 15.05.2020 “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19””, njofton policia.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, shtetasin K. H., pronari i subjektit, pasi ka lejuar zhvillimin e këtij aktiviteti në subjektin në pronësi të tij, në kundërshtim me Aktin Normativ.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat apelon për të gjithë qytetarët, pronarët dhe administratorët e lokaleve, që të respektojnë me korrektësi masat anticovid për të bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit të infektimit nga virusi dhe fton qytetarët të denoncojnë në Komisariatin Dixhital, cilindo që nuk respekton këto masa kufizuese duke u kthyer në burim rreziku për qytetarët. /Gazeta SHQIP