“Presidenti del natën pa protokoll”- Kryemadhi i përgjigjet Ramës: s’shqetësohem unë që jam gruaja, ç’i duhet atij

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, duke i ‘dalë në mbrojtje’ Presidentit Ilir Meta, pasi kreu i qeverisë e akuzoi se ai “del natën pa protokoll” për takime elektorale”.
Kryemadhi tha se kur nuk shqetësohet ajo, si bashkëshortja e Metës, q ky i fundit nuk i tregon se ku po ikën, nuk duhet të shqetësohet Rama.
“Unë nuk shikoj ndonjë qamet të madh. Shikoj një shterim të mendimit politik të kryeministrit në ikje. Përveç kësaj shikoj një mungesë qartësie të mendimit dhe llogjikës politike të një kryeministri apo kryetar i partie i cili është në një periudhë fushate.
Nuk mendoj se aty ka krijimin e hapësirave të reja pune për shqiptarët apo sistem arsimor. Apo të fliste për pandeminë. Nuk mendoj që sot shqiptarët po vdesin për shkak të mungesës së shërbimit shëndetësor, se pse presidenti nuk njofton Edi Ramën se ku do të ikë për të kaluar një fundjavë. Nuk shqetësohem unë që jam bashkëshortja e Ilir Metës që nuk tregon se ku po ikën dhe shqetësohet kaq shumë Edi Rama.