Shqipëria sulmon serisht BE-në: Të mos bëjë politikë me Ballkanin, i kemi plotësuar kushtet!
Shefja e diplomacisë shqiptare Olta Xhaçka ka deklaruar sot në një konferencë shtypi me homologun e saj shqiptar të Maqedonisë së Veriut se BE nuk do të duhet të braktisë dy vendet e Ballkanit.
Pasi ka përmendur sfidën e pandemisë së Covid 19-s, që sipas saj ka qenë një situatë e vështirë për të dy vendet ministrja e Jashtme e Shqipërisë, ka lëshuar edhe silurin ndaj BE-së.
“Të dyja vendet tona, siç e ka konfirmuar edhe vetë Këshilli në Mars 2020, i kanë plotësuar kushtet për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare. Dhe të dyja vendet tona kanë bërë shumë punë për të plotësuar kushtet. Në këtë pikë, dua në fakt të vlerësoj maksimalisht vendosmërinë dhe punën e Kryeministrit Zaev, të qeverisë së tij, të koalicionit qeverisës dhe të faktorit shqiptar, për të çuar përpara integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.
Gjithkush që e njeh rajonin tonë, besoj e kupton që arsyeja përse qoftë në Shqipëri, qoftë në Maqedoninë e Veriut, ka qenë e mundur që të hidhen hapa kaq të guximshme përpara, është sepse ne – pjesa dërrmuese e popullsive tona – besojmë tek perspektiva evropiane. Do të ishte për të ardhur keq, në qoftë se kjo punë kaq e madhe e ky besim kaq i madh do të zhgënjeheshin sërish, për shkak të konsideratave subjektive, politike të vendeve anëtare, në një moment që vlerësimi objektiv, teknik nga ana e Këshillit dhe vendimi i tij në mars 2020 ka qenë pozitiv”, tha Xhaçka, e cila më pas ka paralajmëruar Europën se çdo vonesë do të sjellë problem në stabilitetin e vendit.
“Anëtarësimi në BE i mbarë rajonit, është garancia e zhvillimit të rajonit, por jo vetëm kaq, është edhe një kontribut i madh për sigurinë e vetë BE”, tha shefja e diplomacisë shqiptare, e cila shtoi se faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut ka luajtur një rol kyç në këtë situatë.
“Jo vetëm ka dhënë e jep një kontribut jetik në qeverisjen e vendit, jo vetëm ka luajtur një rol vendimtar në proceset euroatlantike, por është në fakt edhe një urë e fortë lidhëse, miqësie e bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, tha ajo.
Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha se së bashku me ministre Xhaçkën kanë firmosur marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e diasporës
Osmani ndërkaq ka folur për një process të ri politik ballkanik që do të udhëhiqet nga Bullgaria, vend i cili ka vendosur veton për hapjen e negociatave të Shkupit.
Osmani tha se është ngritur Forumi i Prespës, një negociatë trepalëshe ku bën pjesë Bullgaria, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
“Jemi të interesuar për dialogun Prishtinë – Beograd, e mbikëqyrur nga BE-ja dhe SHBA-ja që do të hapë një hap serioz drejt një Ballkani të qëndrueshëm. Në këtë drejtim pata nderin t’ia prezantoj ministres marrëveshjen trepalëshe që iniciohet nga vendi ynë. Të tre vendet, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Bullgaria mund të gjejnë një forum të rëndësishëm. Temë e diskutimit ishte dhe forumi i Prespës për dialog, promovimin e multikulturalizmit në rajon si një sfidë e rëndësishme për Ballkanin. Sot do të nënshkruajmë dhe marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e diasporës, në kuadër të bashkëpunimit dypalësh. Ramë dakord se do të intensifikojmë bashkëpunimin mes dy vendeve për ti hapur rrugë investimeve. Degën e kulturës që është në Maqedoninë e Veriut do e hapim në Tiranë”, tha Osmani./Gazeta Shqip