SKANDAL/ Unioni Artistik Shqiptar denoncon: Grupi i punës kërkon ta dërgojë në UNESCO ‘Kcimin e Tropojës’, por me emërtim të tjetërsuar

Unioni Artistik Shqiptar, i vlerësuar me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skenderbeut”, ka denoncuar përpjekjet e një grupi pune për të dërguar në UNESCO “Kcimin e Tropojës”, por me emërtim të tjetërsuar.
Me anë të një shënimi në facebook, UAKSH shprehet se emërtimi i është ndryshuar nga “Kcimi i Tropojës”, në “Kcimi i Bjeshkës me Tupan i Tropojës” e duke i vrarë përfundimisht autenticitetin.
Në denoncimin e publikuar në rrjete sociale, thuhet se Malësia e Gjakovës (Tropoja) nuk ka patur kurrë “kcim bjeshke me tupan”, dhe emërtimi është shumë i rëndësishëm, pasi bëhet fjalë për një vlerë të rëndësishme kulturore që ndikon ndjeshëm në identitetin kombëtar.
Denoncimi i plotë
Unioni Artistik i Kombit Shqiptar “Kalorës i Urdhrit të Skenderbeut” denoncon me forcë pa kompromis përpjekjet e grupit të punës për mbledhjen e informacioneve dhe përgatitjen e dosjes për të paraqitur në UNESCO si pasuri kombëtare me vlera kulturore botërore, “Kcimin e Tropojës” të tjetërsuar që në emërtim duke e quajtur “Kcimi i Bjeshkës me Tupan i Tropojës” e duke i vrarë përfundimisht autenticitetin Kcimit të Tropojës, më saktë i quajtur “Kcim Vendi” (i Malsisë, nënkupto i Malsisë së Gjakovës).
Malsia e Gjakovës (Tropoja) nuk ka patur kurrë kcim bjeshke me tupan, dhe emërtimi është shumë i rëndësishëm, pasi nuk bëhet fjalë nëse një njeri quhet Hajdar apo Baftjar, por bëhet fjalë për një vlerë të rëndësishme kulturore që ndikon ndjeshëm në identitetin kombëtar.
Këto përpjekje për të deformuar trashëgiminë kulturore të krahinës së Malsisë së Gjakovës (Tropojë), e kudo qofshin do të denoncohen në çdo rast nga Unioni Artistik Kombëtar Shqiptar.