Ushtritë më të fuqishme në botë, ja ku renditet Shqipëria

Global Firepower ka publikuar një listë të re të vendeve të renditura sipas forcës ushtarake.
Lista përfundimtare globale për vitin 2021 u krijua bazuar në më shumë se 50 faktorë për përcaktimin e indeksit të fuqisë ushtarake (PwrIndx).
Këta faktorë përfshijnë forca specifike ushtarake, siç janë numri i ushtarëve, aeroplanëve, tankeve, fuqia financiare e shtetit dhe alokimet për qëllime mbrojtëse, kapaciteti logjistik, vendndodhja gjeografike, transmeton Telegrafi.
Kosova nuk është në këtë listë me 139 vende, teksa shtetet e rajonit, Mali i Zi është në vendin e 123-të dhe Maqedonia Veriore është e 133-ta në botë. Shqipëria renditet më mirë dhe zë vendin e 113, Sllovenia në 88 dhe Kroacia në vendin e 63. Bosnja dhe Hercegovina renditet e 121-ta Sipas kësaj liste, Serbia është fuqia më e madhe ushtarake midis vendeve të ish-Jugosllavisë, ku globalisht është në pozitën e 61-të me një indeks prej 1.0063.
Siç mund të pritej, fuqia e parë ushtarake në botë janë Shtetet e Bashkuara me një indeks prej 0.0718, me Rusinë në vendin e dytë. Kina është në vendin e tretë, India është në të katërtin dhe Japonia është në vendin e pestë.
Shteti më i fuqishëm evropian është Franca (pozicioni i 7-të), ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar (vendi i 8-të), Turqia e cila është e 11-ta në listë dhe Italia në të 12-të gjersa Gjermania zë vendin e 15-të.