“Bari si shkurre”/ Anglezët të pamëshirshëm me fushën e ‘Air Albania’, si u injoruan nga FSHF

Fusha e “Air Albania”, stadium në të cilin u luajt një nga ndeshjet më të forta të kombëtares sonë kuqezi për eliminatoret e Botërorit, përballë nje kundërshtari prestigjoz si Anglia, nuk u ka lënë përshtypje aspak të mirë këtyre të fundit.
Mediat britanike kanë qenë të parat që kanë kritikuar këtë fakt, duke theksuar vështirësinë me të cilën u përballën lojtarët e tyre.
Media të njohura, si ITV apo dhe “The Guardian” kanë shkruar për ndikimin që fusha dhe bari i gjatë patën në lojën e “Tre Luanëve”.
“Qarkullimi i topit dhe pasimet e shpejta me zor po funksionojnë për shkak të një bari të gjatë si shkurre në fushën shqiptare,” shkruajnë ata.
Sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, anglezët bëjnë përgjegjës direkt për këtë fakt vetë Federatën Shqiptare të Futbollit. Kjo pasi për këtë problem ata ishin njoftuar më herët, megjithatë kërkesa e tyre ra në vesh të shurdhër.
Kujtojmë që fusha e “Air Albanias” është investimi i vetëm i FSHF-së dhe duket qartë dështimi për të pasur një tapet dinjitoz të standarteve të larta.
Përpos kësaj, Anglia arriti ta fitojë ndeshjen 0-2 me një gol në të dyja pjesët.