“Boçi grushtonte si huligan, si skuth”/ Rama reagon për përplasjen fizike që ndodhi në Elbasan

Kryeministri Edi Rama ka folur nga Elbasani në lidhje me konfliktin fizik mes biznesmenit Gjergj Luca dhe kandidatit të PD, Luçiano Boçi. Rama e ka cilësuar Boçin si grushtues, ndërsa Lucën si krijues të madh.
“Nuk ka ndryshuar natyra vulgare e politikës së vjetër që mëshirohet sot në koalicionin e ri. E pamë në Elbasan dhe ju ftoj ta imagjinoni sikur grushtuesi i një sipërmarrësi, i një punëkrijuesi, si Gjergj Luca të kishte qenë cilido prej nesh, prej djemve burrave. Sikur grushtuesi, grabitësi i telefonit të rij, dhunuesi i tij të ishte Taulant, Florenci, cilido qoftë, çfarë do kishin bërë.
Sa e-mail, telefonata do kishin derdhur në Europë, do na kishin vënë kujën, por ne e kemi të qartë që njerëz të dëshpëruar bëjnë gjëra të dëshpëruara. Ata e kanë të qartë se nuk kanë mundësi të kenë një shans tjetër.
E patë atë si grushtonte si huligan një biznesmen. Është e papranueshme që një përfaqësues i popullit të grushtojë si skuth dhe me rojet e tij një sipërmarrës, punëdhënësin më të madh të Elbasanit.
Është e pamundur që qytetaria e Elbasanit të identifikohet me këtë shfaqje të dhunshme me disa shëmbëlltyra që nuk janë gjëkundi në mundësinë për t’i quajtur pasardhës të një komuniteti ku ka pasur kaq shumë figura të ndritura”, tha Rama.