“Deri kur isha 35 vjeçe nëna më thoshte të krijoja familje”, rrëfehet burrnesha e fundit e Malësisë së Madhe: Ishim të varfër

Gjystina është burrnesha e fundit në Malësinë e Madhe, e cila ia dedikoi jetën familjes së saj. Të gjithë e thërrasin Duni. Ajo ishte 23 vjeçe kur vendosi që të bëhej burrneshë, të respektonte dhe të ndiqte rregullat, por nuk kishte bërë testimin e burrneshës.

Duni ka thënë për emisionin “Shqipëria Live” se që e vogël vishej si djalë, e kur i ndërroi jetë babai, ajo vendosi që të bëhej burrneshë që të ndihmonte nënën në rritjen e vëllezërve të saj.

“Isha 23 vjeçe, ishim të varfër dhe vendosa që të ndihmoja nënën që të rriste fëmijët. Nënës ja kam thënë të parës dhe më thoshte se duhej të krijoja familjen time. Nëna deri kur isha 35 vjeçe ka insistuar, por unë kam bërë jetën time dhe nuk e kam pyetur”, tha Gjystina.

Kjo e fundit zbuloi se momenti më i vështirë e jetës së saj ka qenë kur ka humbur babain dhe më pas vëllain. Ndërsa momentet më të bukura janë kur shikon nipat dhe mbesat që ecin përpara.

“Shumë i kam ndihmuar dhe shumë më duan. Nuk e kam menduar asnjëherë që të krijoj familje. Që e vogël kam qenë si djalë, e kisha dëshirë të luaja me top si djemtë”, tha Duni.

Burrnesha u shpreh se bën të gjithë punët e burrave, trimave, por nuk mundet që të bëjë punët e grave.

“Bëj punë trimash, nëse më thua të vendos një pullë nuk e bëj”, tha Duni, e cila tha se ia ka vlejtur vendimi që ajo të bëhej burrneshë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT