“Dhuratë” para zgjedhjeve, zbulohet nga erdhën dozat e para të Pfizer për Shqipërinë

Ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” u fol për rëndësinë e vaksinimit për t’u mbrojtur nga Covid-19.
AstraZeneca pati një reaksion të madh negativ, pasi u bojkotua nga shumë shtete, ndër to dhe Austria, Italia, Islanda, Danimarka, e disa shtete të tjera.
EMA doli me deklaratë zyrtare ku bëri me dije se përdorimi i kësaj vaksine nuk është i dëmshëm.
Ndërkohë një lajm ekskluziv vjen nga Austria në emisionin “Shqipëria Live”, pasi bëhet me dije se ka qenë pikërisht ky shtet që i ka dhuruar Shqipërisë dozat e para të vaksinës Pfizer. Kryeministri Rama e mori si dhuratë për zgjedhje nga kancelari i këtij shteti, Sebastian Kurz.
Mjeku shqiptar, Shkëlqim Beqiri, i cili jeton e punon në Austri ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin, ku tha se Austria ka dhuruar 5 për qind të vaksinave të marra në Ballkanin Perëndimor.
I pyetur se pse u vendos që të mos tregohej se ky shtet i kishte dhuruar, Beqiri tha: “Ndodhi ajo që ndodhi në Austri. Ku Pfizer tha se nuk mund të shpërndante vaksina, dhe kancelari u mundua të mos e tregonte”. Sipas tij, është aftësi e kryeministrit Rama që ka arrit që t’i marrë ato doza.