Dialogu me Serbinë/ Lajçak jep pesë porosi për Kosovën, Osmani: Njohje reciproke në kufijtë aktual

Përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka pasur disa porosi për skenën politike në vend pas takimit me u.d e presidentit Vjosa Osmani.
Lajçak ka folur për rezultatin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme duke uruar Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin.
“Një Kosovë që ka përfunduar zgjedhjet, i kanë dhënë një mandat të fortë zonjës Osmani dhe z.Kurtit. Kam disa mesazhe, i pari është ai urime për zgjedhjet parlamentare, që për herë të parë janë mbajtur pa një rol aktiv të komunitetit ndërkombëtar”, ka thënë Lajçak.
Përfaqësuesi i BE-së ka thënë se mesazhi i dytë është që Bashkimi Evropian dhe SHBA-të, tashmë me administratën Biden kanë marrëdhënie më të afërt se që mund të parashihet.
“Mesazhi i dytë është se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë në një partneritet dhe dëshiroj të theksoj se me ardhjen e administratës Biden marrëdhënia është me e afërt që mund të parashihet”, ka thënë ai, duke shtuar se mbështetin programin për luftim të korrupsionit dhe krijim të vendeve të reja të punës.
“Mesazhi i tretë i imi është mbështetja për programin elektoral të z.Kurti dhe zonjës Osmani. BE do të mbështes vendet e reja të punës e luftimin e korrupsionit, këto janë edhe prioritete tona”, ka thënë ai.
Sa i përket dialogut me Serbinë, Lajçak thotë se dialogu do të vazhdojë.
“Mesazhi numër katër është që shtetet e BE dhe Shtetet e Bashkuara mbështetësin vazhdimin e dialogut për çështje që janë të rëndësishme për secilin shtetas të Kosovës, në këtë kontekst kisha një diskutim të gjatë me zotin Kurti dhe zonjën Osmani. Dialogu do të vazhdojë, do t’i krijojmë disa procedura”, tha i dërguari i BE-së që në fund bëri thirrje për unitet politik në Kosovë.
“Mesazhi im përfundimtar është për unitet politik në Kosovë, dialogu nuk është përgjegjësi e një ane apo partie politike, por e të gjitha partive”, ka thënë ai.
Vjosa Osmani deklaroi se do të diskutohet vetëm për njohje reciproke me Serbinë.
“Duhet të sigurohemi që të respektohet mandati që e marrim nga parlamenti, vijat e kuqe që vendosen nga parlamenti. Nuk lejohet që të negociohet me kufijtë e Kosovës. Nuk ka çka të negociohet për statusin e Kosovës, presim që të përfundojë me njohjen. Është shumë me rëndësi që në këtë proces të kemi një koordinim shumë të afërt me opozitën të i informojmë me detaje sepse vetëm atëherë mund të jemi të suksesshëm. Si presidente do të punoj shumë afër me opozitën me shoqërinë civile dhe mediat e me qytetarët që të kemi një mbështetje të plotë rreth këtij procesi”, tha ajo.