Dy emrat që rikthehen me PS në qarkun e Fierit, një tjetër deputet refuzon vendin e ofruar në listë nga Rama

Selia e PS-së është kthyer në një arenë ku njerëzit hyjnë dhe mësojmë fatin e tyre politik nëse do të kandidojnë ose jo.
Sa i përket qarkut të Fierit mësohet se në listë do të jetë ish-kryebashkiaku Baftjar Zeqo dhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi. Kështu kemi një rikthim të Koçit në PS, i cili aktualisht është emëruar edhe kryetari i PS-së së Fierit.
Petro Koçi ka qenë më parë deputet i PS-së, ndërsa njihej si një mbështetës i ish-kryesocialistit Nano dhe u largua pasi Rama mori drejtimin e PS-së. Më vonë ai themeloi me disa ish-nanoistë Partinë Socialiste e Vërtetë, PSV-91, ku u përfshinë emra si Makuble çeco, Limoz Dizdari e të tjerë.
Gjithashtu, pjesë e kësaj liste pritet të jenë edhe deputetet Antoneta Dhima dhe Tatjana Piro, si dhe kryeparlamentari Gramoz Ruçi, zëvendëskryeministri Erjon Braçe, apo dhe deputeti Bashkim Fino, aty ku ka qenë edhe më parë.
Ndërsa dy emra afrohen një tjetër largohet nga radhët e Partisë Socialiste. Sipas burimeve mësohet se deputeti i PS-së, Musa Ulqini nuk ka pranuar që të jetë më pjesë e listës në qarkun e Elbasanit dhe kjo lidhet me faktin se nuk ishte përfshirë në një nga vendet e sigurta. Ai ka qenë deputet në këtë qark 4 vite më parë në zonën e Belshit.