“E vranë së spital”, nëna e 25-vjeçarit që vdiq pas operacionit në stomak: E nisën në Greqi për të thënë se ka vdekur atje

Më 20 qershor të vitit 2017 ndodhi një ngjarje shumë e rëndë në familjen Mazhi. Djali i tyre 25-vjeçar, Spartaku, gjeti vdekjen pas një rrugëtimi të gjatë në spital. Ai iu nënshtrua një operacioni në stomak për ngushtimin e tij, por gjithçka shkoi keq.
Operacioni në spitalin privat nuk pati përfundim të mirë, pasi Spartaku nuk u trajtua si duhet. Më pas ai u dërgua në Greqi, ku edhe ndërroi jetë. Familja e tij pretendon se mjekët grekë e çuan djalin e tyre atje për të humbur gjurmët, pasi kishte vdekur që në Shqipëri.
Më e keqja? Prokuroria ka pushuar çështjen, pasi në trupin e Spartakut mungojnë sot e kësaj dite, truri, zemra dhe stomaku.
Ditën e sotme ishte në studion e emisionit “Shqipëria Live”, nëna e të ndjerit Zhaneta Mazhi. Kjo e fundit tregoi gjithë kaluarin e vuajtjeve.
“Në bllok ishte një klinikë ku ishte një doktor grek, e donim të bënim një ndërhyrje në stomak, se ishte i shëndoshë. Doktori grek e pa djalin dhe tha nuk ka asnjë problem, kam bërë shumë ndërhyrje të tilla. Të shtunën do bëni analizat e gjakut këtu, e të gjitha dolën mirë. Shkuam te spitali privat, e na thanë se një orë, një orë e një çerek është operacioni.
Djali nuk donte të dinte se po bënte operacion, tha se donte të thoshte se është dobësuar vetë. Operacioni zgjati më shumë, e na thanë se nuk ka problem, 3 orë. Pasi doli nga operacioni dukej mirë, por nuk lëvizte, nuk kishte fuqi”, tha nëna e të ndjerit.
Ajo shtoi se mjekët i thoshin se do të bëhej mirë, por në fakt Spartaku nuk po përmirësohej aspak.
“Ai u operua të enjten dhe e nxorën të hënën. Mjeku grek iku pasi bëri operacionin. Para se djali të dilte i dha një çaj dhe i futi një pluhur blu. Djali kishte një tub të cilin ia hoqën, e tha se sa të shkoni në shtëpi, plaga do të mbyllet. Pas operacionit djali ishte si i këputur, e ata na thoshin se nuk ka problem. “Zhaneta mos qaj, ai po flet, është në rregull”, më thoshin.
Çuni kishte veshur një bluzë të bardhë, e doli një hemorragji nga plaga. E çuam në shtëpi, e djali thoshte jam i këputur. Na merrnin në telefon nga shtëpia, e pyesnin si është. Pas dy ditësh iu ngrit temperatura, e më thanë që ti jepja lëng kompostoje. Plaga nuk iu mbyll. E dërguam te klinika në bllok e më pas sërish te spitali privat.
“Mam jam sëmurë”, më thoshte. Ata te klinika nuk donin që ta dërgonim te spitali. Por shkojmë atje me mjetin e klinikës në bllok, më ndihmo i thashë mjekut. Menaxherja e tyre më bërtiste pusho se ka njerëz. E morën çunin dhe e futën në dhomë, në katin e parë dritat ishin të fikura, e doktori grek e shqiptari shmangeshin që të më takonin.
Pushoni. E futëm në sallë, i pastruam hemorragjinë dhe e dërguam në reanimacion. Do e shikoni nesër. Kur hyra aty shtanga, çuni ishte me aparatura i vdekur fare. Mos qaj më thoshin. Kam fjet në korridor. Nuk kam folur me Spartakun. Tek rrija pashë doktorin tjetër që ka ndjekur çunin i thashë e kam këtu, e më tha po e di, por smë kanë njoftuar. Ngjit lart e zbrit poshtë, kështu i kanë bërë. 15 ditë në reanimacion, i mbuluar me peshqirë, ujë dhe me copa plastike me akuj brenda”, tha ajo.
Më pas Zhaneta tregon se si i kanë kërkuar edhe 10 milionë lek për qëndrimin në spital, pas 8 milionë e 100 mijë që kishin paguar për operacionin.
Ajo tani kërkon drejtësi për djalin e saj. “A i pyete pse më vranë”, do më pyes djali në botën tjetër, tha Zhaneta duke shtuar: “E vranë në spital dhe i hoqën zemrën e të gjitha pjesët”.