Erdogan po ndihmon Ramën në fushatë? Ambasadori turk: Turqia ishte vendi i parë që vrapoi për…

“Turqia, një vend më shumë se mik, Turqia një popull më shumë se mik për shqiptarët”, është një shprehje që e kemi dëgjuar shumë shpesh vitet e fundit nga politika në vend.
Kjo, sepse Turqia shihet për Shqipërinë si partner i rëndësishëm strategjik. Edhe Turqia nga ana tjetër nuk e ka kursyer mbështetjen për Shqipërinë.
I ftuar në “Wake Up”, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük u pyet nëse marrëdhëniet e mira mes dy vendeve do vazhdojnë edhe nëse Rama nuk do jetë më kryeministër.
“Për mendimin tim personal, asgjë nuk ka për të ndryshuar. Ne jemi miq të vjetër”, theksoi ai.
Për sa i përket zërave se Presidenti turk, Erdogan po ndihmon Ramën për fushatë, ambasadori sqaroi: “Më lejoni fillimisht që t’u them në lidhje me deklaratat e ministrit tonë të jashtëm, unë nuk jam shumë në brendësi për çfarë po më pyesni, nuk e di për cilat deklarata bëhet fjalë.
Por, mund të them këtë në mënyrë të përmbledhur, Turqia aktualisht është fokusuar te realizmi dhe finalizimi i disa projekteve madhore në Shqipëri. Kryesisht bëhet fjalë për xhaminë e Shkodrës, gjithmonë në bashkëpunim me Shqipërinë dhe autoritetet shqiptare.
Kështu që Turqia ka qenë gjithmonë pranë Shqipërisë në të gjitha fushat që kjo e fundit ka pasur nevojë. Në tërmetin e 26 nëntorit të vitit te kaluar, Turqia ishte ndër vendet e para që vrapoi për të ndihmuar Shqipërinë dhe shqiptarët, pa asnjë lloj hezitimi. Raporti Shqipëri-Turqi është një raport natyral”.