Grushtat ndaj biznesmenit Luca/ Boçi: Telefoni që duket në video është i imi, instiktet e mia e befesuan atë

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike Luçiano Boçi i kërkon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të verifikojë nëse Prokuroria e Elbasanit e ka administruar si provë videon e plotë të ngjarjes së djeshme ku ai përfshihet në konflikt fizik me biznesmenin Gjergj Luca.

Në një deklaratë për mediat, sa i përket akzuave të hedhura për vjedhjen e telefonit të lëshuara nga biznesmeni, Boçi deklaron se telefoni është i tij dhe jo siç pretendon Luca.

“Do të kisha qenë i lumtur të dilja të flisja me ju për çështjen reale të krimit elektoral. Bandat kriminale po intimidojnë njerëzit derë më derë. Ka pasur edhe raste kur bandit detyrojnë mbështetësit e opozitës të dorëzojnë kartat e identitetit që të mos votojnë dot më 25 Prill. Duhet të flasim përsëri për Lucën.

Ngjarja dihet, unë nuk kam ndryshuar version. Pas sulmit të fizik të Lucës ndaj meje, i kam hipur makinës dhe kam shkuar drejt në Prokurori për kallëzim penal ndaj tij dhe sekuestrimin e kamerave. Pasi unë jam larguar Luca ka marrë videon.

Në video shihet një telefon i imi që ka rënë në tokë që unë e kam rimarrë. Gjergj Luca prej kësaj ka prodhuar shpikjen qesharake. Abc Neës nxori mbrëmë një segment të videos e cila mesa duket ka qenë duke u përpunuar në mediat e qeverisë. Kësaj videos i mungon momenti i parë i videos. Fakti që video po shpërndahet nga PS, dëshmon qartë se Luca nuk flet nga pozitat e biznesmenit por është një zgjatim kriminal i maxhorancës.

Është detyrë e prokurorisë të administrojë provat. Me marrjen e videos nga vendngjarja, Luca i ka shtuar vetes edhe një vepër tjetër kriminale. Do të depozitojmë sot një ankesë në ILD. Ftoj Metanin të verifikojë nëse Prokuroria e Elbasanit e ka administruar si provë videon e plotë të ngjarjes. I bëj thirrje garantëve ndërkombëtarë të reformës në drejtësi të mos lejojnë manipulimin e institucioneve të reja të drejtësisë”, shprehet Luçiano Boçi.

Sa i përket Lucës, Boçi tha: “Me zotin Luca do shihemi në gjyq. Më vjen keq nëse instiktet e mia të vetëmbrojtjes dhe reagimi im prej cënimit fizik prej tij e befasuan atë. Ai erdhi të më rrahë dhe iku i rrahur. Integriteti fizik dhe moral i demokratëve është i pacënueshëm”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT