Integrimi në BE, pandemia dhe rindërtimi, kryeministri Rama udhëton drejt Brukselit

Kryeministri Edi Rama do të vizitojë sot Brukselin, ku pritet të zhvillojë takime me Ursula von der Leyen, me komisionerin për politikën e fqinjësisë dhe zgjerimin, Oliver Varhelyi dhe përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Në fokus të bisedimeve janë ecuria e integrimit të Shqipërisë në BE dhe për fondet e rindërtimit. Rama, i shoqëruar nga delegacioni shqiptar do të marrin pjesë në takim e Këshillit të Stabilizim Asocimit në orën 12:00.
Në këtë takim, i cili do të drejtohet nga përfaqësuesi i Lartë i BE, Josep Borrell, Shqipëria do të kalojë në sitën e vendeve europiane për të parë sesa e ka respektuar dhe zbatuar marrëveshjen e stabilizim asocimit.
Por nuk do të lihen pa diskutuar edhe përmbushja e kushteve politike dhe ekonomike të Tiranës zyrtare të vendosura nga Brukseli si detyra për t’i dhënë dritën jeshile Shqipërisë.
Ky takim vjen në një kohë kur Rama ka qenë shumë kritik ndaj BE-së sa i përket shpërndarjes së vaksinave, duke e cilësuar si egoiste.