“Ka dhënë urdhër për prishjen e kasolles pse mban flamurin shqiptar”, reagon kryetari i Bashkisë Finiq: Jam njeri serioz

Patrioti shqiptar, Odise Gremo, që jeton në Sopiki të Vlorës u sulmua sërish pas dokumentarit që realizoi me Marin Memen. Qeni i tij u qëllua me çifte, ndërsa Gremo pretendon se e gjitha skena është e llogaritur për të sulmuar atë për shkak se nxori në dukje që Bashkia Finiq po punon për greqizmin e shqiptareve.
Kjo temë u diskutua ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku në lidhje “Skype” ishte Kristo Kiço, kryebashkiaku i Finiqit.
Duke folur në lidhje me plagosjen e qenit, Kiço u shpreh se “nuk është një histori që lidhet me detyrën time, apo bashkinë”.
“Mund ti drejtoheni policisë, e cila ka strukturat dhe mekanizmat e vet për të trajtuar këto çështje. Nuk e di nëse zotëria në fjalë ka ndonjë gjë me bashkinë, nëse nuk është trajtuar si gjithë të tjerët”, tha ai.
Ndërsa i akuzuar nga Gremo se me urdhrin e tij, punëtorët e Bashkisë kanë shkuar dhe i kanë prishur kasollen një bariu si dhe i kanë hequr flamurin shqiptar, Kristo u shpreh se është e “gjitha e pavërtetë”.
“Mos ta banalizojmë, dikush më ka informuar dhe sinqerisht nuk kam patur asnjë lloj dijeni se ka ndodhur një gjë e tillë. Sikur kjo mos të jetë e vërtetë. Po sikur t’i bëj një kallëzim zotërisë për deklaratë të rreme, çfarë do të ndodhë. Jam njeri serioz dhe nuk merrem me gjëra të tilla. Edhe stani edhe flamuri janë atje, nuk i ka ndaluar njeri. Por kur ka patur probleme mes banorëve, ka qenë policia e shtetit. Kjo deklaratë është 100 për qind e pasaktë. Ju mund të dërgoni njerëz atje dhe do shikoni se stani edhe flamuri është atje, mos të kalojmë në ekstreme të tilla. Mua më kanë vendosur në dijeni se e kanë parë diku në një status, nuk më ka ardhur njeri që të më ankohet”, tha kryetari i Bashkisë së Finiqit.
Odise në një moment që ka patur poblem, i kemi kthyer përgjigje dhe jemi munduar që ta ndihmojmë. Porta e Bashkisë e hapur për çdo qytetar, nuk i është mohuar asnjëherë e drejta e tij.