Kolegji Zgjedhor rrëzon PD-në për ‘fryrjen’ e listave: Do shkojë në zgjedhje me 153 kandidatë

Kolegji Zgjedhor ka vendosur sot që të pranojë padinë e Partisë Socialiste dhe ka shfuqizuar vendimin e KAS, për listat e kandidatëve të koalicionit opozitar PD-AN.

Në vendim, Kolegji ka pranuar ankimimin e PS-së, e cila doli kundër listave me 222 emra të Partisë Demokratike, përballë 153 emrave të tyre për zgjedhjet e 25 prillit.

Me këtë vendim lista e koalicionit PD-An reduktohet nga 222 emra në 153 njëlloj si kundërshtari i tyre.

Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso, e quajti të motivuar politikisht shfuqizimin në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor të vendimit të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, lidhur me numrin e kandidatëve për deputetë në listën e Partisë Demokratike për zgjedhjet e 25 prillit.

“Vendimi i sotëm i Kolegjit Zgjedhor për listën e deputetëve nuk është vendim që respekton ligjin elektoral. Ndalimi i opozitës për t’u përfaqësuar në zgjedhje me lista të plota është i ndikuar politikisht nga interesi politik i partisë në pushtet”, reagoi Kaso përmes një statusi në Facebook.

Deklaratë e Sekretarit për Çështjet Zgjedhore Ivi Kaso:

Vendimi i sotëm i Kolegjit Zgjedhor për listën e deputetëve nuk është vendim që respekton ligjin elektoral. Ndalimi i opozitës për t’u përfaqësuar në zgjedhje me lista të plota është i ndikuar politikisht nga interesi politik i partisë në pushtet.

Jemi të keqardhur për këtë vendim që nuk i shërben ligjit dhe interesit publik, por ne besojmë se rezultati në fund të procesit zgjedhor do të tregojë se opozita është shumica politike në vend.

Pavarësisht se vendimi i Kolegjit nuk është në përputhje me ligjin, ne do ta respektojmë atë dhe do të vazhdojmë betejën tonë për fitoren e zgjedhjeve në 25 Prill, për t’u sjellë shqiptarëve ndryshmin që duan dhe meritojnë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT