‘Kukull e Ilirit dhe Saliut’/ Rama ‘vlerëson’ Bashën: Nuk është rrezik as për demokracinë dhe as për drejtësinë
Duket se beteja e kryeministrit Edi Rama është me Ilir Metën dhe Sali Berishën, të cilët sipas tij janë kundër reformës në drejtësi.
Kreu i qeverisë tha se Basha nuk është rrezik as për demokracinë dhe as për drejtësinë, por një politikan i dobët dhe kukull.
“Ilir Meta më ka thënë hapur, 25 Prilli do të jetë një referendum që do të përmbysë reformën në drejtësi ndërkohë që u betua se nëse ne fitojmë do të heqë dorë nga posti i presidentit dhe do të marrë drejtimin e opozitës. Ai nuk ka respekt për reformën në Drejtësi por e kanë marrë vesh edhe gurët edhe drurët qëllimin e tij.
Kush voton ata që janë përballë nesh investon direkt kundër reformës në drejtësi. Kush nuk del në votim ia le në dorë atyre zgjedhjen për drejtësinë. A mund të delegohet kjo e drejtë për të ardhmen e drejtësisë. Lulzim Basha nuk është rrezik as për demokracinë dhe as për drejtësinë, por duke qenë një politikan i dobët ai është një kukull”, tha Rama.
Kryeministri foli edhe për koalicionin PD-LSI, ku sipas tij synon “mbylljen e Bashës në shtëpi”.
“Ata mund ta mbyllin Lulin në shtëpi me duart e tij. Keni parë një koalicion më qesharak paszgjedhor nga dy parti që hyjnë vetëm një zgjedhje. Ajo është një strategji për të lidhur Lulin. Kur Ilir Meta thotë se do të udhëheqë opozitën, do të thotë se do të ngrejë barrikadën me PD, LSI dhe KÇK. Lulzim Basha është thjesht administrator. Janë mbledhur bashkë kuçi dhe maçi jo për të përmbysur qeverinë”, tha Rama. /Gazeta SHQIP