Kulla e Mrizit të Zanave mes veprave të Da Vinci-t – Portali i njohur e rendit të parën në listën e 50 projekteve më të arritur në botë

E njohur ndryshe si Kulla e Arnueme, struktura e mirënjohur prej xhami e guri e agroturizmit Mrizi i Zanave përfaqëson arkitekturën shqiptare në portalin botëror Bored Panda.
Portal i njohur i artit dhe kulturës botërore Bored Panda sapo ka publikuar listën e 50 veprave ku arkitektët kanë shkëlqyer në punën e tyre. Portali Bored Panda ka mbi 15 milion ndjekës në mbarë botë dhe boton shpesh lista të cilat tregojnë vende apo fenomene vërtet interesante. E ashtuquajtura Kulla e Arnueme kryeson listën e verpave vërtet orgjinale, shumë prej tyre edhe të pabesueshme. Nga më të vjetrat tek më të rejat, lista përfshin struktura të cilat janë të veçanta dhe funksionale.
Kulla e Arnueme, pjesë e agroturizmit Mrizi i Zanave në Fishtë, Lezhë.
Lista fillon me kullën e famshme në fshatin Fishtë dhe vazhdon me shkallë spirale të projektuara nga rilindasi italian Leonardo Da Vinci si edhe ndërtesa e Ministrisë së Bujqësisë në Rusi, e cila ndërthur godinën me një pemë madhështore. Kjo listë është plot të papritura pasi është mbledhur nga ato vepra të cilat kanë ndezur kuriozitetin e publikut në mbarë botën. Lista përfundimtarë është përpiluar në bazë të klikimeve dhe “shares.”
Agroturizmi Mrizi i Zanave ka jo pak ndjekës në vend dhe jashtë tij, për shkak të ushqimit dhe prezantimit të tij të veçantë dhe ofrimit të një përvoje vërtet autentike shqiptare. Fama e kullës së mrizit arriti një audience botërore më të gjerë kur, para më pak se dy vitesh, kjo vepër tërheqëse u botua në portalin Reddit. Ashtu siç tregon edhe Bored Panda, kulla hyn ne listën e veprave që janë shpërndarë në Internet për shkak të interesit të jashtëzakonshëm të lexuesve në botë.
Hyrja e Mrizit të Zanave në fshatin Fishtë.
Mbi Kullën e Arnueme
E projektuar nga @plisatelier, nga arkitektët Briken Miloti dhe Ton Luli, kulla një herë e një kohë gjysëm e shembur nga tërmeti i 1979-ës, është “arnuar” me xham, i cili edhe pasqyron peizazhin e bukur përreth, edhe tregon ambientin brenda. Kulla është rezultati i suksesshëm i një harmonie të ndërtimeve autentike shqiptare dhe ato modernet. Kjo zjidhje, e cila ka ruajtur identitetin historik duke shtuar elementë modern, është nga ato që duartrokiten nga publiku botëror.

