Marsi nuk është vetëm i ‘Eksodit’. Askush nuk i përmend më, por 81 shqiptarë mes të cilëve shumë fëmijë u mbytën nga anija e marinës italiane në marsin e akullt të ’97-s

Në 28 mars 1997 rreth orës 16.00, u nis nga porti i Vlorës “Kateri i Radës” me 115 persona në bord. Rreth orës 18:50, pas disa manovrash të ndryshme nga pesë anije luftarake të marinës Italiane, Kateri i Radës, u godit nga Sibila.
Sipas dëshmive të të mbijeturve Sibila italiane e goditi 2 herë në pak minuta, anijen e mbingarkuar shqiptare, duke shkaktuar një tragjedi ngjethëse: në 800 m thellësi, në detin e akullt të marsit, u mbytën fëmijë, nëna, gra e burra.
Humbën jetën gjithsej 81 persona, nga të cilët vetëm 57 do të nxireshin pas 6 muajsh të po atij viti, ndërsa 24 persona nuk u gjetën kurrë dhe vetëm 34 mundën të mbijetonin.
Kjo do të ngelet si një nga tragjeditë më të mëdha jo vetëm për numrin e viktimave por edhe për faktin se në bordin e anijes së vogel ishin 31 fëmijë nën 16-vjeç, kishte midis tyre edhe fëmijë 6-muajsh apo 1-vjeç por edhe gra shtatzëna.
Si është e mundur që të ndodhi, si ishte e mundur që një anije e Marinës Italiane me shume ekspertë me përvojë në bordin e saj të ishte shkaku i një tragjedie të tillë?! Këto janë pyetje që bëhen ende sot pas 24-vjetësh.
Italia kreu një proces gjyqësor të zvarritur. Në vitin e 8 të proçedurave Gjykata e Brindizit dënoi kapitenin italian dhe atë shqiptar me dënime qesharake nga 3 deri në 4 vjet, për “pakujdesi” dhe vetëm “në nivel individual”. Kuadri ligjor, zinxhiri i komandës dhe praktikat e vendosura nuk u hetuan.
Nga Shqipëria nuk pati asnjë pretendim zyrtar për shtetasit e vet. Në fakt shteti shqiptar nuk i përmend e as i kujton më viktimat. Të ndjerët nuk janë pjesë as në deklaratat zyrtare, madje as në retorikën politike.
Romano Prodi i cili ka qenë në Vlorë gjatë trazirave të 1997, erdhi në Tiranë në tetor 2015. Asokohe ai u pyet nga gazetarët për Otranton dhe tha se ishte “një paaftësi”.
“Marina jonë nuk ishte e përgatitur në atë kohë për të bërë këto gjëra. Mund t’ju siguroj që ishte një incident. Por fajtor, do të thotë të bësh diçka me qëllim. Ju siguroj që nuk ishte e qëllimshme” – tha ai.
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, e vënë në lëvizje nga padia e një prej të mbijetuarve bëri fajtore Italinë por vuri theksin tek një marrëveshje dypalëshe midis Shqipërisë dhe Italisë që lejonte këtë të fundit të hynte në ujërat shqiptare. Anija ishte ende në territorin shqiptar 24 km nga bregu, kur u godit nga luftanijet italiane.