Mbi 100 mijë individë me aftësi ndryshe nuk marrin pagesat, Tafaj: Kryeministri e ka pranuar si problem, por…

Pandemia nuk i ka ndaluar personat me aftësi të kufizuara, të ardhur nga një pjesë e mirë e qyteteve të vendit që të protestonin në mënyrë paqësore pranë Ministrisë së Shëndetësisë për të kërkuar pagesat e prapambetura që prej vitit 200-2010.

Në fakt, kërkesat e tyre janë bërë çdo vit pranë institucioneve si të pushtetit qendror dhe atij vendor, por mesa duket kanë rënë në vesh të shurdhët.

Janë rreth 100 mijë persona me aftësi të kufizuara  që nuk kanë marrë pagesat për pensionin e invaliditetit përgjatë periudhës të viteve 2005-2010,  pagesa që duhet t’i përfitonin nga indeksimi i pagës që bëhet çdo vit.

Ata kanë nisur proceset gjyqësore prej disa vitesh, 2 mijë prej tyre e kanë fituar betejën ligjore, por vendimi nuk është zbatuar ende.

I ftuar sot në “Wake Up” ishte përfaqësuesi ligjor i personave me aftësi të kufizuara, Sinan Tafaj. Ai bëri të ditur se kjo betejë ka nisur prej vitesh dhe institucionet përkatëse janë në dijeni për problemin, por nuk kanë marrë asnjë masë.

“Çështja tani është bërë më konkrete, sepse kemi vendime të Gjykatës të formës së prerë, të cilat duhet të ekzekutohen. Kjo betejë ka filluar prej shumë vitesh, që në 2010-2011. Shoqata e të Verbërve ka ngritur padi ndaj Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Financave dhe e rrëzuan në 2010-2011 dhe na thanë ngrini padi ndaj komunave dhe bashkive.

E ngritëm padinë kundër komunave dhe bashkive dhe pastaj vazhdoi beteja. Janë 20 mijë njerëz që më kanë autorizuar prokurën për të ndjekur proceset e tyre.

Nga 2013 në vazhdim e kemi ngritur çdo vit këtë problem. Vetë kryeministri Rama e ka pranuar si problem, por nuk kemi ende një zgjidhje. Janë mbi 100 mijë njerëz që u takon kjo e drejtë”, deklaroi Tafaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT