“Më dhemb atdheu, është detyrë patriotike”, prefekti i Gjirokastrës zbulon çfarë i tha Fino kur mori detyrën e kryeministrit

Prefekti i Gjirokastrës, Odise Kote, ishte sot në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqipëria Live” për të kujtuar Bashkim Finon, i cili ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm nga Covid-19.

Kote u shpreh se ka humbur një shok fëmijërie, i cili ishte simbol i qytetarisë.

“Dua të flas për Bashkimin si e kam njohur unë si njeri. Ishte simbol i qytetarisë. Një simbol që të ndiqet hap pas hapi si një shembull. Ishte “made in Gjirokastër”, ishte përfaqësues i Gjirokastrës kudo që shkonte. Ishte njeri mendje hapur. Ka qenë në një shkollë muzike për violinë. Kam punuar gazetar për vite me radhë, dhe e njoh nga afër aktivitetin e tij si njeri. U zgjodh kryetar i Bashkisë së Gjirokastrës, posti i tij i parë politik. Kishte një vizion pro perëndimor. E kur mori këtë detyrë tha: ‘Dua të di detyrat e kryetarit të Bashkisë së Berlinit, Parisit’. Ishte viti 1992. Kërkoi të ringrihej biblioteka e qyteti. Mbahej si bashkia model, pikërisht se kishte një drejtues si Bashkimi me kulturë kaq të gjerë”, tha Odise.

Sipas tij në vitin 1997, jo rastësisht Fino u zgjodh kryeministër. “Ai ishte njeri që dashuronte njeriun, e asaj kohe i duhej një njeri si ai. Ishte ora 14:20 minuta, unë u njoftova se Fino do ishte kryeministër. Shkova në shtëpinë e tij ku ishte me dy miqtë e tij. Po luanin tavull. Bashkimi ka pasur një ide se mund të ishte kryeministër i ardhshëm. Kishte emocion dhe më tha: “Më dhemb atdheu, më dhemb Shqipëria, është një detyre patriotike për të shpëtuar Shqipërinë””, u shpreh prefekti i Gjirokastrës.

Ky i fundit u shpreh se atë e donin të gjithë, të majtë, të djathtë apo kushdo tjetër.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT