“Mesatarja ditore e rasteve pozitive është ulur”, Fico: Edhe pse kemi vazhduar me vaksinimin…

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka nisur mbledhjen për situatën epidemiologjikë të Covid në vend. Sipas Albana Ficos, mesatarja ditore e rasteve pozitive është ulur dhe numri total i rasteve aktive gjithashtu është ulur.
“Incidenca dy javore 10-23 mars ka një zbritje. Mesatarja ditore e rasteve ditore ka rënë nga 654 në 532. Gjithashtu numri total ka pësuar rënie nga 33553 në 33194. Numri i të shtruarve në spital ka rënë në 394”, tha Fico.
Kjo e fundit bëri thirrje që njerëzit të vijojnë të mbajnë maskën në ambientet publike, të mbajnë distancim social si dhe higjiena. Sipas saj, zbatimi i masave është kyç për të adresuar këtë pandemi.
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik paralajmëroi gjithashtu se nuk është ende momenti për të ndryshuar masat aktuale që janë vendosur me qëllim frenimin e përhapjes së koronavirusit.
“Edhe pse ne kemi vazhduar me vaksinimin, një gjë duhet ta kemi të qartë që indikatorët kryesorë s’janë ulur në mënyrë drastike sa të jemi në periudhë për të konsideruar masa të një karakteri tjetër. Edhe harta e Evropës tregon në mënyrë specifike për rritje të numrave si në Evropë dhe në Rajon”, tha Fico.