Bie ndjeshëm numri i infeksioneve/ Spitalet “marrin frymë,” sa persona janë të intubuar dhe terapi intensive

Ministria e Shëndetësisë raportoi se në 24 orët e fundit 15 persona të tjerë kanë humbur jetën nga koronavirusi në vendin tonë, ndërkohë që janë regjistruar dhe 446 raste të reja me Sars Cov-2.
Referuar shifrave, vihet re një rënie e ndjeshme ditët e fundit e infeksioneve, çka tregon se masat e marra po japin efekt, pas një muaji dramatik sa i përket vdekjeve dhe të infektuarve.
Përmirësim ka njohur edhe situata në spitale, ku krahasur me dje sot kemi 30 persona më pak të infektuar. Gjithsesi, numri i të intubuarve mbetet i lartë.
“Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 440 pacientë, 33 në terapi intensive, nga të cilët 15 pacientë janë të intubuar.”, bën me dije ministria.
Të shëruar
Në 24 orët e fundit janë shëruar 744 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 82,554 që nga fillimi i epidemisë.
Vaksinime
Vijon procesi i vaksinimit antiCOVID në qendrat e përqendruara të vaksinimit si dhe në shkolla për arsimtarët. Gjatë ditës së sotme janë kryer 3338 vaksinime antiCovid dhe që nga fillimi i vaksinimit janë kryer 33,369 vaksinime për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe mësuesit.
Apeli
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën apel të gjithë qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë rregullat për parandalimin e COVID19: Vendosni maskën mbrojtëse në çdo ambient jashtë shtëpisë, shmangni grumbullimet, ruani distancimin fizik; kujdesuni për higjenën vetjake dhe vetëizolohuni kur dyshoni se jeni të prekur nga COVID19. /Gazeta SHQIP