Meta i kthen Parlamentit ligjin e vettingut në Polici: Nisma për t’ i bërë shantazh uniformave blu

Presidenti Ilir Meta i kthen qeverisë ligjin për Vettingun në Polici. Dekreti më i fundit i Metës lidhet pikërisht me vendimin e marrë nga Parlamenti për pezullimin e procesit të vettingut për punonjës e policisë, për të realizuar më parë procesin te struktura e SHÇBA-së.
Meta, thekson se kjo është ndërhyrja e 3 (tretë) që i bëhet ligjit brenda një kohe kaq të shkurtër. (5 mars 2018 – 8 mars 2021), ndaj dhe Kreu i Shtetit ka kërkuar që Kuvendi dhe Qeveria, ose të pranojnë dështimin e vetting-ut në Polici dhe të nxjerrin përgjegjësit e kësaj nisme të dështuar ose që bëhet për qëllime politike.
Kreu i shtetit thekson se kjo nismë ligjore ndonëse është propozim i një grupi deputetësh, në fakt, në Komisionin Parlamentar për Sigurinë, projektligjin e ka prezantuar dhe eka mbrojtur Zëvendësministri i Brendshëm, që ka mbajtur të njëjtin qëndrim “copy-paste”, pa ndryshuar as presjen, nga relacioni i nënshkruar nga deputetët nismëtarë.
Pjesë nga argumentimi i Metës
Ndryshime kaq të shpeshta të ligjeve të tilla me kaq rëndësi, tregojnë ose për gabime në procesin legjislativ në momentin fillestar të miratimit të ligjit bazë, dhe që tashmë duhet të ishte pranuar nga nismëtarët e të ishin nxjerrë përgjegjësitë për dështimin e kësaj nisme, ose për një qëllim politik për ta mbajtur procesin e vetting-ut në polici të hapur për një kohë të gjatë, me qëllim pasjen e një mekanizmi presioni, intimidimi dhe shantazhi përkundrejt trupës policore.
Presidenti i Republikës, duke vlerësuar përmbajtjen e të tre ligjeve ndryshuese, të vitit 2019, 2020, 2021, dhe mospërmbushjes së objektivave të parashikuara në ligjin bazë nr. 12/2018, evidenton qartë se është pikërisht vullneti politik i mazhorancës për ta mbajtur këtë proces të hapur pambarimisht për të patur një mekanizëm presioni, intimidimi dhe shantazhi përkundrejt trupës policore, qëllimi real i ndryshimeve kaq të shpeshta në këtë ligj, pasi ligji bazë nr. 12/2018, është vlerësuar si një nismë pozitive.
Ligji nr. 30/2021, bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, cenon parimin e sigurisë juridike, cenon parimet dhe standardet e vendosura me ligjin bazë nr. 12/2018, pasi përmes ndryshimeve të njëpasnjëshme Kuvendi vijon të heqë një e nga një garancitë për një proces kaq të rëndësishëm si vlerësimi kalimtar i punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës, ç’ka konfirmon të gjitha dyshimet se ky proces nuk do të realizohet në kohën e duhur, me objektivitet dhe paanshmëri, duke bërë kështu edhe një hap tjetër pas, në raport me standardet e ligjit bazë nr. 12/2018.
Ligji objekt shqyrtimi, është propozuar, prezantuar dhe shqyrtuar në kushte kur vullneti i organit ligjvënës provohet se ka qenë fiktiv dhe i paracaktuar/diktuar nga qeveria, duke shkelur kështu parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve të parashikuar nga neni 7, i Kushtetutës së Shqipërisë.
Në Raportin e Komisionit për Sigurinë Kombëtare, të datës 02.03.2021, citohet se: “Për të prezantuar projektligjin në komision ishin të pranishëm Zëvendësministri i Brendshëm z.Julian Hodaj dhe përfaqëues të tjerë të Ministrisë.” Sipas Rregullores së Kuvendit kjo nuk mund dhe nuk duhet të ndodhë.
Eshtë e pakuptimtë dhe e papranueshme se si mund të prezantohet një projektligj që është nismë e deputetëve, nga përfaqësuesit e qeverisë. Mjafton ky fakt për të provuar edhe një herë se Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë janë trupëzuar në një organ të vetëm, dhe ku ky i fundit (Kuvendi) ka humbur krejtësisht rolin mbikqyrës e kontrollues ndaj ekzekutivit.
Kjo situatë, fakton edhe një herë se Republika e Shqipërisë ndodhet në një situatë ku parlamentarizmi ka humbur rolin e tij. Kuvendi i Shqipërisë është kthyer realisht në një noter të qeverisë, që njehson vullnetin e kësaj të fundit dhe ku parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve i parashikuar në nenin 7 të Kushtetutës, jo vetëm që nuk ekziston midis ekzekutivit dhe parlamentit, por këto dy organe në veprimtarinë e tyre kanë humbur seriozitetin për t`u kujdesur, qoftë dhe në dukje, për respektimin e këtij parimi.
Rasti konkret, është tregues i mënyrës se si ligjet draftohen nga ekzekutivi (qeveria), dhe për të shmangur konsultimin e detyrueshëm të një projektligji nga ministria propozuese, në shkelje të çdo parashikimi kushtetues mbi ndërmarrjen e nismave ligjore, propozimi dhe depozitimi i tyre realizohet nga deputetë të Kuvendit.
Në këtë mënyrë, shmanget konsultimi i detyrueshëm i projektligjit sipas procedurave të ligjit nr. 9000/2003 “Për oganizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me veprime që praktikisht mund të konsiderohen edhe falsifikim, duke u nënshkruar sikur janë nisma të propozuara nga një, apo disa deputetë të Kuvendit.