Meta i pakënaqur nga SPAK: Merret me “cironkat”, nuk frikësohet askush

Presidenti Ilir Meta duket se është i pakënaqur nga puna e SPAK për dosjen e Dibrës. Me tone të larta, kreu i Shtetit i dërgoi sot një mesazh edhe Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit, teksa foli për zgjedhjet e 25 prillit.
Meta i drejtua SPAK-ut, duke thënë se me “cironkat” e dosjes së Dibrës dhe Shijakut nuk tremben ata që kanë ndërmend të vënë dorë mbi procesin zgjedhor të 25 prillit.
“Çështja e zgjedhjeve është tashmë një çështje e të gjithë shoqërisë, sepse prej saj varet edhe integrimi i Shqipërisë. Vota duhet të jetë njëherë e përgjithmonë e shenjtë dhe e barabartë. Ne do t’i mbështesim të gjitha institucionet të bëjnë detyrën në këtë drejtim, përfshi edhe SPAK-un. Por me “cironkat” e dosjes së Dibrës dhe Shijakut nuk trembet asnjë nga ata që kanë ndërmend të venë dorë mbi procesin zgjedhor”, tha Kreu i Shtetit.