“Nuk kam frikë nga Ilir Meta”, Presidenca i përgjigjet ‘flakë për flakë’ Edi Ramës: Gruas së ‘Bilalit’ do t’i presim dorën me thonjtë, që ka kapur shtetin

Presidenca i përgjigjet “flakë për flakë” një deklarate të kryeministrit Edi Rama, i cili pak më parë deklaroi se nuk ka frikë nga përballja në opozitë me Ilir Metën. “Do t’i pres dorën atij që vjedh votën”, tha Meta dje.
I pyetur nga gazetari i newsbomb.al Ilir Xhafaj, nëse kishte frikë për dorën apo për përballjen me Ilir Metën në opozitë, Rama u shpreh se nuk kishte pse të kishte frikë për asnjë nga të dyja. Por Presidenca nëpërmjet zëdhënësit Tedi Blushi, i përgjigjet Ramës dhe thotë se atij që do të prekë votën do t’i pritet dora bashkë me thonjtë që ka kapur shtetin.
“Kush prek votën e lirë do t’i pritet dora bashkë me thonjtë, që kanë kapur për fyti shtetin dhe drejtësinë. “Gruaja” e Bilalit më kot harxhon para me lobistë për deklarata, certifikata dhe sondazhe të rreme. Bën mirë, që lekët e vjedhura t’i kursejë për të paguar avokatët mbrojtës, kur të japë llogari para drejtësisë”, shkruan ndër të tjera Blushi.
Shkrimi i plotë:
Drejtësinë koreanoveriore të “gruas” së Bilalit, shqiptarët e kanë provuar për 50 vite, ndaj çdo certifikatë të “zonjës Bilali”, do ta hedhin në koshin e plehrave.
Ilir Meta i qëndron besnikërisht Reformës në Drejtësi të bërë me 140 vota në Kuvend, falë këmbënguljes së Tij kur ishte Kryetar i Kuvendit dhe këtë e dinë mirë të gjithë shqiptarët.
Drejtësinë e re, që se kapi dot me Kushtetutë, “gruaja” e Bilalit e kapi me ligje antikushtetuese, që vazhdon t’i miratojë dhe sot.
Të mos ketë merak se më 25 prill do ta marrë vlerësimin e merituar nga mbarë populli i Shqipërisë.
Drejtësia e pavarur do vijë vetëm nga vota e lirë dhe e shenjtë.
Kush prek votën e lirë do t’i pritet dora bashkë me thonjtë, që kanë kapur për fyti shtetin dhe drejtësinë.
“Gruaja” e Bilalit më kot harxhon para me lobistë për deklarata, certifikata dhe sondazhe të rreme.
Bën mirë, që lekët e vjedhura t’i kursejë për të paguar avokatët mbrojtës, kur të japë llogari para drejtësisë.
Mos e provoko popullin e 2 Marsit se është shumëfishuar në një vit falë zullumeve të shtuara edhe në kohë pandemie!