Paralajmërimi i studentëve: Nëse nuk plotësohet kërkesa, bojkot mësimit online dhe sezonit të provimeve

Studentët kanë qenë të vetmit që pandemia i penalizoi me mësimin në distancë, ndryshe nga sistemi tjetër arsimor në vend që zhvillon mësim të alternuar, online dhe në klasë.
Në këtë situatë, të rinjtë e universiteteve të ndryshme në vend si publike dhe private herë pas here kanë ngritur zërin për një rikthim në auditorë, për zhvillimin e mësimit, duke respektuar rregullat anticovid.
Madje një muaj më parë ata ndërmorën një peticion për të siguruar mbështetjen e sa më shumë të rinjve që kërkojnë rikthimin fizikisht në auditorë, sepse mësimi në distancë për një pjesë të tyren është i pamundur.
Ditën e djeshme, pas një muaji që nga nisja e peticionit, ku janë siguruar më shumë se 11 mijë firma, ata e kanë dorëzuar atë në kryeministri si dhe në ministrinë e shëndetësisë dhe në atë të arsimit.
I ftuar në “Wake Up”, nismëtari i këtij peticioni, studenti i Fakultetit të Drejtësisë, Agred Tafaj deklaroi se po diskutojnë dy variante nëse nuk merren masa.
“Deri tani janë hedhur dy variante. Një është bojkotimi I mësimi online komplet. Varianti I dytë është të zhvillohen protesta pranë organeve përkatëse.
Është absurde, baret janë hapur, qendrat tregtare janë hapur dhe vetëm auditoret jo. Ka pedagogë që na mbështesin për mësimin në auditore, pasi nuk ka të njëjtin efekt”, tha ai.